Ballina Artikuj Shembuj që frymëzojnë dhe na kujtojnë se ende ka zemra që lotojnë...

Shembuj që frymëzojnë dhe na kujtojnë se ende ka zemra që lotojnë për fenë

Hoxhë Rufat Sherifi

“Nuk është mëkat për ata që erdhën te ti që t’i marrësh me vete, e ti u the: ‘Nuk kam me ç’t’ju mbaj.’ Ata u kthyen me sytë që lotojnë nga pikëllimi, sepse nuk gjenin asgjë që të shpenzonin.”
[Et-Tevbe: 92]

Ky ajet përshkruan një ndjenjë të rrallë dhe të çmuar: mallin për të qenë në shërbim të Allahut dhe dhimbjen e sinqertë kur nuk ke mundësi.
Ata njerëz nuk qanin nga hallet e kësaj bote, por nga dëshira e thellë për të marrë pjesë në një punë të madhe.

Shumë prej tyre mbetën të panjohur në histori, por Allahu vullnetin e tyre të lartë e bëri të kujtohet pa ndërprerë në Librin e Tij.
Lotët e tyre u bënë dritë në Kuran.
Sepse ata donin, edhe kur nuk mundnin.

Po ne?

Ne që kemi mundësi, mjete, kohë, shëndet, qasje , a e ndjejmë të njëjtën etje për të qenë pjesë e veprave me të cilat arrihet kënaqësia e Tij?
A na dhemb kur mbetemi jashtë një aktiviteti, një thirrjeje, një projekti që i shërben Islamit?
A ndjejmë boshësi kur nuk kontribuojmë, apo e kalojmë pa u ndalur?

Jo për t’u krahasuar me ta, por për të reflektuar:
Në kohën tonë ka shumë mundësi për t’u angazhuar , qoftë vetëm me një orë, një ide, një ndihmë të vogël.
Nuk kërkohet gjithmonë shumë. Kërkohet sinqeritet. Dëshirë. Zemër që thotë: “Dua të jem aty.”

Le ta marrim këtë ajet si një ftesë për veten:

Të mos presim gjithmonë thirrje të posaçme për t’u lëvizur.
Të mos e shohim angazhimin fetar si barrë, por si privilegj.
Të mos neglizhojmë ftesat e udhëheqësve tanë, sepse pas tyre mund të fshihet një mundësi për të qenë më afër Allahut.

Në fund të ditës, nuk matet vetëm çfarë kemi bërë për fenë e Tij, por edhe sa shumë kemi dashur të bëjmë për Të.

Le të jemi ndër ata që ndihen bosh kur nuk japin,
që lotojnë nga malli , jo nga brenga,
që ecin qetë, por me zemër të ndezur për një kauzë më të madhe se vetja.

Hoxhë Rufat Sherifi