Shkon në 100 mijë numri i të zhdukurve nga krimet në Meksikë

Numri i njerëzve të raportuar të zhdukur në Meksikë ka arritur në 100.000 persona, njoftoi BBC-ja të martën.

Të dhënat e qeverisë së Meksikës, të cilat datojnë që nga viti 1964, tregojnë se pothuajse shumica e zhdukjeve kanë ndodhur që nga viti 2007, kur presidenti i atëhershëm, Felipe Calderón nisi “luftën ndaj drogës”.

Kombet e Bashkuara e kanë quajtur këtë “një tragjedi njerëzore me përmasa të mëdha”.

Shumica e të zhdukurve janë viktima të krimit dhe rrallë ndonjë prej përgjegjësve të këtyre krimeve janë ndëshkuar për veprimet e tyre.

Të dhënat e fundit nga regjistri kombëtar për njerëzit e zhdukur, të ministrisë së Brendshme të Meksikës, tregojnë se vetëm në dy vitet e fundit, numri i të zhdukurve është rritur për 27.000 persona.

Tri të katërtat e të raportuarve të zhdukur janë burra dhe një e pesta janë persona nën moshën 18 vjeç, në kohën e zhdukjes.

Të afërmit e të zhdukurve thonë se qeveria nuk po bën mjaftueshëm për t’i gjetur ata, dhe se zyrtarët tregohen indiferentë kur ata kërkojnë të dashurit e tyre.

Shumë prej familjarëve i kanë marrë çështjet vetë në duar, duke hapur varre pa mbishkrime me shpresën se do t’i gjejnë mbetjet e të afërmve të tyre. /koha