Shtëpia e Bardhë: Deklaratat e Hamasit për propozimin e armëpushimit “më pak se inkurajuese”

Sipas Shtëpisë së Bardhë, deklaratat publike të Hamasit mbi një propozim që do të parashikonte një armëpushim të përkohshëm të ndalimit të armiqësive në Rripin e Gazës së rrethuar kanë qenë “më pak se inkurajuese”, transmeton Anadolu.

“Ne kemi parë deklaratat publike nga Hamasi që kanë qenë, le të themi, më pak se inkurajuese, por këtë mëngjes unë fola me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed. Ai nuk ka ende një përgjigje nga Hamasi”, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.

“Unë e nxita atë që të përpiqet të sigurojë një përgjigje prej tyre sa më parë. Dhe kur të kemi më shumë për të raportuar në atë front, ne do t’ua raportojmë atë”, shtoi ai.

Negociatat në vazhdim për të ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm në këmbim të lirimit të pengjeve ende të mbajtura nga Hamasi vijnë në mes të vendosmërisë publike të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të kryer një pushtim tokësor të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës. Propozimi iu paraqit Hamasit pas një raundi bisedimesh të përfunduara gjatë fundjavës.

Disa vende, përfshirë SHBA-në, i kanë kërkuar Izraelit të heq dorë nga planet për një sulm tokësor në Rafah. Rreth 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur brenda vendit kanë kërkuar strehim atje, përveç 200 mijë banorëve që jetonin në qytet para luftës.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, paralajmëroi Izraelin pas vrasjes së javës së kaluar të shtatë punonjësve ndërkombëtare të ndihmës se mbështetja e ardhshme e SHBA-së për luftën izraelite varet nga zbatimi i reformave të mëdha nga Tel Avivi. Gjatë bisedës së tij telefonike me Netanyahu-n, ai theksoi se “një armëpushim i menjëhershëm është thelbësor për stabilizimin dhe përmirësimin e situatës humanitare, si dhe për mbrojtjen e civilëve të pafajshëm” në Gaza.

Sullivan tha se ai nuk ka parë ende “plan të besueshëm dhe të zbatueshëm për të lëvizur njerëzit që kanë ndonjë nivel detajesh rreth mënyrës se si ju jo vetëm strehoni, ushqeni dhe siguroni ilaçe për ata civilë të pafajshëm, por edhe se si merreni me gjëra të tilla si kanalizimet, uji dhe shërbime të tjera bazë”.

“Ne nuk e kemi parë këtë ende”, shtoi ai.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në territorin palestinez që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 33.200 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës dhe rreth 76 mijë të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit masiv dhe mungesës së nevojave themelore.

Izraeli po ashtu ka vendosur një bllokadë në Rripin e Gazës, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e enklavës, veçanërisht banorët e Gazës veriore.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.