Sindikata më e madhe franceze CGT (Konfederata e Përgjithshme e Punës) ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të eksporteve franceze të armëve drejt Izraelit, duke përmendur më shumë se 500 dërgesa të pajisjeve ushtarake, transmeton Anadolu.
“Vazhdimi i ofrimit të pajisjeve ushtarake përbën bashkëfajësi në krimet e kryera dhe në përshkallëzimin e një konflikti vdekjeprurës”, tha sindikata CGT.
CGT bëri thirrje për një embargo të plotë armësh, respektim të rreptë të rregulloreve kombëtare dhe ndërkombëtare, transparencë më të madhe në eksportet e armëve dhe zbatim rigoroz të kontrolleve nga autoritetet përkatëse.
Një raport i gazetës Le Monde tha se dërgesat bien ndesh me deklaratat e përsëritura të qeverisë franceze se ajo nuk shet armë për Izraelin ose furnizon vetëm pajisje mbrojtëse të destinuara për përdorim jashtë Gazës.
Raporti gjithashtu theksoi përdorimin e shpeshtë të aeroportit Charles de Gaulle në Paris nga kompania amerikane Lockheed Martin për eksportet drejt Tel Avivit.
CGT tha se dërgesat e vazhdueshme ushtarake të Francës minojnë njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës dhe dëmtojnë perspektivat për një zgjidhje politike në rajon.
“Respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe traktateve të tregtisë së armëve nuk është opsional”, tha sindikata.
Kryeministri francez, Sebastien Lecornu, më herët ka deklaruar se Franca nuk shet armë për Izraelin, duke theksuar se të gjitha dërgesat janë mbrojtëse ose të destinuara për rishitje. Ai tha se prioriteti i Francës është mbrojtja e civilëve dhe ulja e dhunës.




