Sipas Bangladeshit, prania afatgjatë e refugjatëve të Arakanit shkakton probleme të sigurisë

Bangladeshi paralajmëroi Kombet e Bashkuara (OKB) se prania afatgjatë e refugjatëve të Arakanit (Rohingya) shkakton probleme të sigurisë të cilat mund të prekin gjithë rajonin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Bangladeshit, thuhet se ministri i Jashtëm Masud Bin Momen i bëri thirrje të dërguarës speciale të OKB-së për Mianmarin, Noeleen Heyzer, që “të luajë një rol efektiv për zgjidhje të përhershme për krizën e Arakanit”.

Në një mbledhje nëpërmjet internetit, Momen tha se “prania afatgjatë e refugjatëve të Arakanit në Bangladesh, krijon probleme të sigurisë, si trafikim të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore, të cilat kanë pasojë në gjithë rajonin”.

Përparësia e Dhakas është rikthimi i të gjithë qytetarëve të Arakanit në Mianmar, deklaroi Momen, duke shtuar: “Në vitin e pestë të krizës, Bangladeshi ende po përballet me shumë vështirësi nga pritja e mbi 1 milion shtetasve të Mianmarit që janë zhvendosur me forcë”.

Momen i kërkoi të dërguarës speciale e OKB-së të “krijojë kushtet e përshtatshme në Mianmar për rikthimin e besueshëm dhe të sigurt për qytetarët e Arakanit”.

Edhe Heyzer shprehu lavdërime për Bangladeshin lidhur me “veprimin e jashtëzakonshëm humanitar” ndaj refugjatëve të Arakanit dhe premtoi se problemi i refugjatëve Rohingya do të qëndrojë në krye të agjendës.

Spastrimi etnik i muslimanëve të Arakanit

Në vitin 2012, në Arakan u shfaqën konflikte mes budistëve dhe muslimanëve ku si pasojë e ngjarjeve, mijëra persona, nga të cilët shumica muslimanë, u masakruan dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën.

Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme më 25 gusht 2017 në stacionet kufitare në Arakan.

Sipas OKB-së, që nga gushti i vitit 2017 e deri tani, ka arritur në 900 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë treguar se qindra fshatra janë shkatërruar.

Agjencitë e OKB-së dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e cilësojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid” dhunën ndaj muslimanëve të Arakanit. /aa