Ministria e Brendshme e Sirisë tha se dy të dyshuar të ISIS-it (DAESH) u arrestuan në lidhje me bombardimin e xhamisë Imam Ali muajin e kaluar që vrau tetë persona në qytetin qendror të Homsit, transmeton Anadolu.
Një deklaratë e ministrisë e publikuar nga Agjencia Arabe e Lajmeve Siriane (SANA) tha se Ahmed Attallah al-Diab dhe Anas al-Zarrad u arrestuan në Homs në një operacion të përbashkët midis forcave të sigurisë dhe shërbimit të inteligjencës.
“Operacioni erdhi pas monitorimit të kujdesshëm në terren dhe mbikëqyrjes gjithëpërfshirëse, e cila rezultoi në identifikimin dhe vendndodhjen e tyre”, tha ministria.
“U sekuestruan pajisje shpërthyese, armë të ndryshme dhe lloje të ndryshme municionesh, përveç dokumenteve dhe provave diGJitale që vërtetojnë përfshirjen e tyre në akte terroriste”, shtoi ajo.
Tetë persona u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën në sulmin e 26 dhjetorit në xhami.
Hetimet fillestare treguan se shpërthimi u shkaktua nga pajisje shpërthyese të vendosura brenda xhamisë.
Administrata e re siriane ka punuar për të forcuar kushtet e sigurisë në të gjithë vendin që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assad në fund të vitit 2024.



