Spiropali: Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën, transmeton Anadolu.

Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali ka theksuar se Shqipëria denoncon pa mëdyshje përdorimin e dyshuar të një rakete balistike me rreze të mesme veprimi nga Rusia, sipas saj, kundër rajonit Lviv të Ukrainës.

“Një sulm i kryer kaq afër kufijve të BE-së dhe NATO-s shënon një përshkallëzim serioz dhe përbën një rrezik të qartë për sigurinë evropiane dhe transatlantike. Narativat e sajuara të Rusisë vetëm sa nxjerrin në pah natyrën e papërgjegjshme dhe agresive të veprimeve të saj”, ka shkruar ajo.

Kryediplomatja e Shqipërisë ka shtuar se bëjnë thirrje për masa të bashkuara ndërkombëtare dhe “presion më të fortë mbi Moskën”.