Srebrenica do të drejtohet nga një serb

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik ka deklaruar se cështja e fituesit të zgjedhjeve në Srebrenicë është “punë e kryer” dhe se mesazhet nga Sarajeva se si një serb nuk mund të jetë kryetar i kësaj komune, janë politikisht jokorrekte.

“Komisioni që i shpall zgjedhjet, e që nuk është komision i Republikës Serbe, por i Bosnjës dhe Hercegovinës, ka thënë se zgjedhjet në Srebrenicë ishin fer dhe korrekte. Ajo që nuk është e pranueshme nga Bakir Izetbegoviqi dhe politika sarajevase, siç thonë ata, që një serb s’mund të jetë kryetar, kjo bie në sferën e deklaratave politike të pamundshme dhe jokorrekte”, ka thënë Dodik, transmeton lajmi.net.

Ai ka shtuar ishte plotësisht e qartë, fitorja plotësisht e merituar.
Dodik po ashtu ka theksuar se politika e kryetarit të ri, Mladen Grujiçiqit do të bazohet në respektimin e realitetit në Srebrenicë dhe ka pyetur se deklaratat e politikanëve boshnjakë a do të thonë se atje boshnjakët mund të jetojnë vetëm nëse e kanë kryetarin e tyre.

“Çfarë ka ndodhur me serbët të cilët për 20 vjet jetojnë atje, e kryetarin e kanë pas boshnjak?”, ka pyetur ai.

Edhe Komisioni i Zgjedhjeve e ka konfirmuar Grujiçiqin si kryetar të ri të Srebrenicës.

Është hera e parë që Srebrenicën e udhëheqë një kryetar serb, pasi që deri tash çdoherë fitonte kandidati boshnjak.

Dihet çfarë ka ndodhur në Srebrenicë dhe sa boshnjakë janë vrarë brenda pak orësh nga forcat serbe.