Stoltenberg: NATO nuk ka plane të dërgojë trupa në Ukrainë

Jens Stoltenberg

NATO nuk ka në plan të dërgojë trupa për të luftuar në Ukrainë në rast pushtimi nga Rusia, deklaroi të dielën sekretari i përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg.

Deklarata e tij erdhi gjatë një interviste për BBC.

“Aleatët e NATO kanë dërguar trajnues. Ne po i ndihmojmë duke modernizuar kapacitetet e tyre, përfshi në mbrojtjen kibernetike. Aleatët e NATO gjithashtu i kanë furnizuar me armë. Për shembull, Mbretëria e Bashkuar ka dërguar armë kundërtank”, tha ai.

Stoltenberg gjithashtu vuri në dukje kufizimet e partneritetit me Ukrainën, ku theksoi se parimi i kundërpërgjigjes ushtarake nga gjithë vendet anëtare të NATO në rastin e sulmit të një vendi anëtar nuk vlen në rastin e Ukrainës pasi kjo e fundit nuk është anëtare. /euronews