Stoltenberg: Ne kemi nevojë për forca të armatosura të fuqishme dhe të gjelbra

Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se aleanca ka nevojë në të njëjtën kohë të jetë e fuqishme dhe e gjelbër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një ngjarje në kuadër të konferencës së OKB-së mbi ndryshimet klimatike (COP26), që po mbahet në Glasgow të Skocisë, Stoltenberg tha se siguria dhe klima janë dy anë të të njëjtës monedhë.

“Ne nuk mund të zgjedhim për forca të armatosura të gjelbra ose të fuqishme. Ne në të njëjtën kohë kemi nevojë për të gjelbër dhe të fuqishme”, tha Stoltenberg në ngjarjen e titulluar “Klima, paqja dhe stabiliteti”, duke shtuar se COP26 është samiti i parë mbi klimën ku merr pjesë NATO.

Duke theksuar se avionët, anijet dhe mjetet ushtarake më efektive të së ardhmes do të funksionojnë me “diçka më të ndryshme nga lëndët djegëse fosile”, Stoltenberg tha se ato nuk do të lëshojnë gazra serë.

Duke iu referuar çështjes së “emetimeve ushtarake”, shefi i NATO-s tha se një nga prioritetet e aleancës do të jetë zhvillimi i një metodologjie për të numëruar emetimet nga burimet ushtarake.

Ai po ashtu theksoi se forcat ushtarake të NATO-s duhet të përshtaten me efektet e ndryshimeve klimatike në terren që të jenë në gjendje të operojnë në kushte ekstreme të motit.

Takimi COP26 do të vazhdojë deri më 12 nëntor me panele të shumta, takime dhe ngjarje anësore, të gjitha në kërkim të zgjidhjes për reduktimin e niveleve të ngrohjes globale duke e mbajtur atë në 1.5 gradë Celsius. /aa