Stoltenberg: Suedia dhe Finlanda do të mirëpriten ngrohtësisht në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Finlanda dhe Suedia do të mirëpriten shumë ngrohtësisht nëse aplikojnë për anëtarësim në aleancë dhe se procesi i anëtarësimit mund të përfundojë brenda një kohe të shkurtër.

Stoltenberg shkoi në Parlamentin Evropian (PE) në Bruksel të Belgjikës, për të informuar grupet politike në Parlament mbi situatën e fundit në Ukrainë, ndërsa përpara takimit ai u prononcua në interes të gazetarëve me Presidenten e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.

Duke iu përgjigjur pyetjes se sa do të zgjaste procesi i anëtarësimit nëse Finlanda dhe Suedia aplikojnë për anëtarësim në NATO, Stoltenberg tha: “Ne e dimë se forcat e armatosura të këtyre vendeve përmbushin standardet e NATO-s dhe janë në përputhje me NATO-n. Ne bëjmë stërvitje së bashku. Ne kemi punuar së bashku në shumë operacione dhe misione. Nëse ata aplikojnë, ata do të jenë të mirëpritur. Unë pres që procesi të jetë i shpejtë. Ata mund të anëtarësohen pasi të ketë përfunduar procesi formal.”

Pasi theksoi se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt tregoi nevojën për mbështetjen e aleancës për sigurinë e vendeve anëtare dhe joanëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) si Gjeorgjia dhe Moldavia, Stoltenberg tha se kjo përfshin mbështetjen praktike dhe politike dhe se ata po punojnë me partnerë të ngushtë në Evropën Lindore në lidhje me atë se çfarë mund të bëjnë në këtë drejtim.

Stoltenberg gjithashtu vuri në dukje se shuma e mbështetjes ushtarake që anëtarët e NATO-s i kanë premtuar Ukrainës arrin në 8 miliardë dollarë. /trt