Strazburg, euro-deputeti italian shkel me këpucë deklaratën e KE-së

Euro-deputeti italian Anxhelo Çoka, në përfundim të konferencës për shtyp të zëvendës presidentit të KE-së dhe komisionerit për Ekonominë reagoi duke lënë me gojë hapur të pranishmit. Çoka iu afrua tryezës e hoqi këpucën dhe me të, në mënyrë simbolike shkeli deklaratën e printuar të Komisionit Europian.

Më pas, në profilin e tij në Twitter, euro-deputeti nga radhët e Ligës së Veriut deklaroi: “Në Strazburg shkela me një shollë italiane malin e gënjeshtrave që Valdis Dombrovskis dhe Pierr Moskovici kishin shkruar për vendin tonë”.

Çoka theksoi se Italia meriton respekt dhe u bëri thirrje atyre që i quajti euro-budallenjtë që ta kuptojnë se italianët nuk e ulin kokën. “A bëra mirë?”, shtoi Çoka në statusin e tij./abcnews.al