Sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj infrastrukturës së Iranit kanë prekur rëndë edhe sektorin e arsimit të lartë. Autoritetet iraniane bëjnë të ditur se të paktën 30 universitete janë goditur që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.
Në Universitetin Shahid Beheshti në veri të Teheranit, një qendër kërkimore është shkatërruar pas një sulmi ajror. Instituti i Kërkimeve për Laser dhe Plazmë u godit të premten, ndërsa godina të tjera përreth pësuan dëme më të lehta. Nuk raportohet për viktima, pasi mësimi ishte zhvendosur online në të gjithë vendin.
Autoritetet iraniane e cilësojnë sulmin si goditje ndaj shkencës dhe lirisë akademike, duke kërkuar reagim ndërkombëtar. Ministri i shkencës deklaroi se sulmet ndaj universiteteve dhe qendrave kërkimore “përfaqësojnë një kthim pas në zhvillimin njerëzor”.
Ndërkohë, edhe Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë i Iranit është dëmtuar rëndë, ku një qendër kërkimore është shkatërruar plotësisht. Po ashtu, është goditur edhe Instituti Pasteur i Teheranit, i cili merret me sëmundje infektive dhe prodhimin e vaksinave.
Sipas Organizata Botërore e Shëndetësisë, instituti ka pësuar dëme të mëdha dhe nuk mund të vazhdojë shërbimet, megjithëse nuk ka pasur viktima.
Raportohet gjithashtu se mbi 20 objekte shëndetësore janë goditur që nga fillimi i marsit. Sulmet kanë prekur edhe shkolla, banesa dhe biznese në të gjithë vendin.
Autoritetet iraniane thonë se mbi 2,000 persona kanë humbur jetën nga sulmet, ndërsa bombardimet kanë vazhduar edhe gjatë natës në zonat përreth kryeqytetit. /mesazhi








