Së paku dy fëmijë e kanë humbur jetën nga sulmet ajrore ruse dhe të presidentit sirian, Bashar al-Assad, në vendbanime të rajonit të zonës së de-eskalimit të përleshjeve në Idlib, në veriperëndim të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të Helmetave të Bardha, gjatë sulmeve në fshatin Kefer Ziba janë vrarë dy fëmijë.
Edhe më tej zgjasin sulmet dhe ekziston shqetësimi se numri i të vdekurve mund të rritet.
Në Idlib si një bastion i opozitarëve sirianë jetojnë rreth 4 milionë banorë dhe të shpërngulur të brendshëm, të cilët janë cak i sulmeve të shpeshta të regjimit.
Me ndërmjetësim të Turqisë dhe Rusisë në Soçi më 17 shtator të vitit 2018 u arrit marrëveshje për armëpushim në Idlib dhe vendosjen e zonës së de-eskalimit për civilët.
Nga shtatori i vitit të kaluar dhe shpalljen e armëpushimit në këtë rajon janë shpërngulur më shumë se gjysmë milion persona.
Pjesëtarët e Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) më herët njoftuan se gjatë sulmeve në zonën e de-eskalimit të përleshjeve në Idlib, të cilat forcat e regjimit dhe aleatët e tyre i kryen nga 26 prilli deri më 12 korrik kanë vdekur 606 civilë, nga të cilët 157 të mitur dhe 111 gra.



