Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sulmet amerikano-izraelite vrasin 14 persona dhe plagosin 15 të tjerë në Iran

Sulmet amerikano-izraelite vrasin 14 persona dhe plagosin 15 të tjerë në Iran

Të paktën 14 persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën në sulmet amerikano-izraelite në Iran, thanë sot zyrtarët dhe mediat lokale, transmeton Anadolu.

Zëvendësguvernatori i provincës Markazi, Hassan Kamari tha se 11 persona u vranë dhe 15 u plagosën kur sulmet shënjestruan drejtpërdrejt tre zona banimi në provincën Markazi në Iranin perëndimor, duke shkaktuar shembjen e katër ndërtesave dhe duke dëmtuar katër të tjera.

Media iraniane raportoi se sulmet u përqendruan në zonën Mahallat në provincë gjatë gjithë natës. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA tha se tre persona të tjerë u vranë kur një sulm goditi xhaminë historike “Jameh” në provincën Zanjan.

Sipas IRNA-s, salla e mbledhjeve të xhamisë dhe një bibliotekë ngjitur me oborrin kryesor, pjesë e një kompleksi të përfunduar në shekullin e 19-të, u shkatërruan plotësisht në sulm. Videot që qarkulluan në mediat sociale treguan se minaret e xhamisë pësuan gjithashtu dëme të rënda.

SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar ofensivën ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë deri më tani mbi 1.340 njerëz, përfshirë ish-udhëheqësin suprem Ali Khamenei.

Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, së bashku me Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa kanë prishur tregjet dhe aviacionin global.