Sulmi ndaj identitetit islam të shqiptarëve myslimanë zhvillohet kryesisht mbi elementë kulturorë dhe shumë më pak ose aspak mbi doktrinat themelore, që ofrohen si alternativë e vetme kundrejt tij, qoftë kjo ideologjia laike-liberale perëndimore apo doktrina fetare e krishterë.
Debati kulturor, nëse mund të quhet i tillë, është shumë më i lehtë për t’u bërë, sepse merret me efektet dytësore të besimeve apo doktrinave dhe është më i prekshëm për mbarë njerëzit, sidomos sot që jetojmë në një injorancë të theksuar popullore karshi doktrinave fetare dhe ideologjike.
Ky sulm, përmes kulturës bëhet edhe më i lehtë, kur marrim parasysh që në cilin krah gjendet sot pushteti dhe fuqia shkencore, teknologjike, politike, ekonomike, ushtarake, mediatike dhe kulturore gjithashtu.
Shqiptarët joshen drejt kulturës “së ndritur” perëndimore, duke e paraqitur atë si antipod i asaj “të errët” lindore, apo islame, ku kjo e fundit sulmohet përmes anëve negative dhe prapambetjes zhvillimore që shfaqin shoqëritë e sotme të botës myslimane.
Një femër perëndimore që ekspozon lirinë e saj, tek duket e vetëpërmbushur, veshur me Versace, që josh seksualisht me hiret e saj, përmes makijazhit dhe kurimit të kujdesshëm të pamjes, e hipur mbi një Ferrari apo duke ecur mes gradaçelave të Manhattanit, tërheq padyshim më shumë sesa një grua e vobektë e Afganistanit, që paraqitet si robëreshë, e që mban të veshur një perçe të dalë boje, që e mbulon tërësisht trupin e saj misterioz.
Sigurisht që në debatin kulturor përfshihet edhe historia, sundimi apo pushtimi osman, kush është heroi kombëtar i shqiptarëve dhe në cilin krah qe ai dhe kundra kujt luftoi, pa harruar këtu edhe Rilindjen Kombëtare, që thuajse zhvishet tërësisht nga trashëgimia e saj fetare islame dhe kulturore osmane.
Debati kulturor është edhe më pak provokues fetarisht, sepse nuk del haptazi kundra Islamit si fe, por dhe imponon në mënyrë të pavetëdijshme një lloj kompleksiteti dhe inferioriteti kulturor, që për rrjedhojë shpie ose në një lloj mbrojtjeje justifikuese, ose në një mohim nihilist të kulturës joperëndimore.
Por, ndërkohë, debati doktrinar është edhe më i vështirë dhe pak i kuptueshëm për njerëzit, dhe për më tepër, e vë në rrezik palën sulmuese, për vetë realitetin e gjërave.
Një monoteizëm i pastër si Islami, dhe pa një doktrinë të mëkatit fillestar, është afërmendsh më i logjikshëm dhe i pranueshëm nga njerëzit, sesa një ateizëm i pashpirt e një agnosticizëm shterp, apo një monoteizëm (!) trinitar dhe një kryqëzim shëlbues. Kështu që është afërmendsh, pse tema të tilla doktrinore, mbi të cilat në fakt provohet ose jo saktësia dhe vërtetësia, si dhe vlefshmëria e doktrinave që në themel, nuk para i hasim në mediat tona, apo edhe nga ata që kanë rrokur flamurin të sulmojnë identitetin islam të shqiptarëve.
Dhe për ta mbyllur, kulturat mund të përçmohen, tallen, karikaturohen, dhe nuk kanë nevojë për ndonjë debat akademik te masat që të bëhen të urryera, ndërsa doktrinat kërkojnë debate të ftohta racionale, që për një shoqëri konsumi dhe sipërfaqësore, janë një kokëçarje e tepërt për ta vrarë mendjen për to. Kjo, pra, është beteja “e fituar” e banales, kundrejt të vërtetës sublime!
Dr. Justinian Topulli







