Kamboxhia sot pretendoi se Tajlanda kreu sulme të reja ajrore me avionë F-16 në provincën Preah Vihear, transmeton Anadolu.
Avionët tajlandezë bombarduan zonat Phnom Kmoch dhe Peak Sbeak në mëngjes, raportoi media lokale “Fresh News”, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes. “Forcat kamboxhiane do të vazhdojnë të mbrojnë integritetin territorial dhe dinjitetin kombëtar të Kamboxhias me vendosmëri të palëkundur”, tha ministria.
Ushtria Mbretërore Tajlandeze tha sot se ka shkatërruar mbi gjashtë ndërtesa të përdorura nga rrjetet mashtruese transnacionale, përfshirë kazino dhe hotele, që kur konflikti rifilloi më 7 dhjetor, sipas faqes lokale të lajmeve “The Nation”.
Mbrëmë, mediat kamboxhiane raportuan për qetësi në kufij.
Një i dërguar special kinez për çështjet aziatike do të angazhohet në “një udhëtim diplomatik në Kamboxhia dhe Tajlandë në një përpjekje për të lidhur të dyja palët për të rindërtuar paqen në një datë të hershme”. Që nga fillimi i konfliktit 12 ditë më parë, nga të dyja palët janë vrarë të paktën 55 persona.
Sipas autoriteteve tajlandeze, 21 ushtarë tajlandezë dhe 16 civilë tajlandezë janë vrarë. Ministria e Brendshme e Kamboxhias tha se 18 civilë kamboxhianë janë vrarë dhe 78 të tjerë janë plagosur. Përleshjet kanë vazhduar pavarësisht se presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të premten se udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias kishin rënë dakord të ndalonin luftimet e ripërtërira.
Të dy vendet nënshkruan marrëveshje paqeje në tetor në Kuala Lumpur në prani të Trumpit dhe kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim, por kjo u pezullua më vonë pasi ushtarët tajlandezë u plagosën rëndë në një shpërthim mine tokësore në një provincë kufitare.
Autoritetet tajlandeze thanë se rreth 18 ushtarë kamboxhianë mbeten në paraburgim tajlandez pas incidenteve në pesë muajt e fundit. Tailanda dhe Kamboxhia kanë një mosmarrëveshje të gjatë kufitare që ka shpërthyer vazhdimisht në dhunë, përfshirë përleshjet në korrik në të cilat u vranë të paktën 48 persona.


