Në qytetin kinez Wuhan është raportuar se disa prej automjeteve të shërbimit të taksive pa shofer të operuara nga kompania teknologjike Baidu u ndalën në trafik për shkak të një defekti të sistemit, transmeton Anadolu.
Sipas autoriteteve lokale, policia pranoi një numër të madh telefonatash nga qytetarët që raportuan automjete të ndaluara në mes të rrugës dhe që nuk lëviznin.
Hetimet paraprake tregojnë se problemi lidhet me një gabim në sistemin operativ të automjeteve autonome.
Nuk është bërë ende e ditur se sa automjete janë prekur nga ky defekt, ndërsa në rrjetet sociale kineze përdorues të shumtë kanë ndarë përvoja dhe ankesa për mosfunksionimin e këtyre taksive pa shofer.
Kompania Baidu operon shërbimin e saj autonom “Apollo Go” që nga viti 2021 në disa qytete të mëdha dhe zona të caktuara urbane në vend.
Mungesa e një deklarate zyrtare nga kompania lidhur me shkakun e defektit ka ngritur pikëpyetje mbi besueshmërinë dhe sigurinë e shërbimeve të transportit pa shofer, të cilat po zgjerohen gjithnjë e më shumë në Kinë.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen dhe po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e një ndërhyrjeje të jashtme apo sulmi kibernetik, ndërsa pritet që kompania të japë më shumë detaje mbi incidentin në ditët në vijim.

