Talebanët u bëjnë thirrje kundërshtarëve të tyre politikë të kthehen në Afganistan

Shahabuddin Delawar

Qeveria e përkohshme talebane në Afganistan u bëri thirrje kundërshtarëve të tyre politikë që të kthehen në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni i “Komunikimit dhe Rikthimit” që u formua më 16 mars për kthimin në vend të afganëve jashtë vendit, filloi punimet e tij me një konferencë për media të mbajtur në kryeqytetin Kabul.

Shahabuddin Delawar, zv.ministri i minierave dhe naftës në qeverinë e përkohshme talebane dhe kryetar i Komisionit të Komunikimit dhe Rikthimit, në një fjalim në takim tha se janë falur të gjithë politikanët që kanë luftuar kundër tyre në 20 vitet e fundit dhe se dëshirojnë kthimin e tyre në vend.

Duke vënë në dukje se Afganistani është edhe vendi i afganëve në fjalë, Delawar theksoi se politikanët e rikthyer në vend do të pajisen me një dokument besimi dhe se do t’u ofrohet mundësi akomodimi të përkohshëm për të garantuar sigurinë e tyre.

Zëdhënësi i komisionit, Ahmadullah Vasik tha se komisioni fillimisht do të formojë listën e të gjitha figurave politike jashtë vendit, do të mbledhë informacione rreth tyre dhe më pas do të kontaktojë me ata.

Më tej Vasik shtoi se afganët e rikthyer në vend nuk do të arrestohen, nuk do të torturohen dhe se atyre do t’u jepet mbrojtje nëse ndihen të pasigurt.

Shumë persona u larguan nga vendi pasi talebanët morën nën kontroll kryeqytetin Kabulin më 15 gusht 2021.

Ndërkohë, administrata talebane ka bërë thirrje disa herë se personat jashtë vendit mund të kthehen me lehtësi në vendin e tyre. /aa