Talibanët bëjnë përparim drejt një qyteti të madh afgan

Foto ilustruese

Një burim në provincën afgane Zaranj thotë se militantët talibanë janë duke hyrë në qytet, teksa guvernatori dhe zyrtarët e tjerë të kësaj province janë larguar, duke i lënë hapur rrugën grupit militant që të marrë nën kontroll qytetin e parë të madh, që prej se nisi ofensivën katër muaj më parë.

Një zyrtar i administratës provinciale në një provincë fqinje tha më 6 gusht se kryeqyteti i provincës Nimroz më masë të madhe tani është nën kontrollin e talibanëve, edhe pse policia lokale dhe zyrtarët e sigurisë janë duke luftuar në disa pjesë të qytetit.

Ofensiva në Zaranj vjen pas njoftimit se në Kabul është vrarë kreu i Qendrës së Informimit të Qeverisë afgane, Dawa Khan Menapal.

Vrasja e tij është incidenti i fundit i talibanëve që pati në shënjestër zyrtarët e qeverisë, teksa talibanët po vazhdojnë ofensivën e tyre edhe në qytete të tjera të mëdha përfshirë Heratin, Kandaharin dhe Lashkar Gahin.

Militantët talibanë tani kanë nën kontroll pjesë të mëdha të shtetit dhe po vazhdojnë luftimet me forcat qeveritare afgane.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, mori përgjegjësinë për vrasjen e Menapalit.

Luftimet në Afganistan janë intensifikuar prej 1 majit, kur Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera, zyrtarisht filluan të tërheqin trupat e tyre nga ky shtet. Tërheqja e trupave pritet të përfundojë gjatë këtij muaji. /rel