Ballina Artikuj “Të fitosh“ betejën, por të humbasësh luftën!

“Të fitosh“ betejën, por të humbasësh luftën!

Hatem Bazian

Kjo shprehje, që përdoret shpesh për të përshkruar një strategji të dështuar në luftë, aplikohet tani më së miri te Izraeli. Aty ku ai po mundohet me dëshpërim të shënojë një “fitore” në betejën e Gazës, ndërkohë që e ka humbur tashmë luftën e madhe.

Projekti sionist dhe shteti i Izraelit kanë humbur pozicionin strategjik që gëzonin që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Hakmarrja është një ndërmarrje tejet e kushtueshme. Udhëheqësit politikë izraelitë dhe elitat e medias nxitën shoqërinë të përqafonte spastrimin etnik dhe gjenocidin si “zgjidhjen përfundimtare” në Palestinën historike. Kjo ndodhi pikërisht në një moment kur Perëndimi po përballet me dobësi politike të brendshme, me një lidership që i është nënshtruar plotësisht udhëzimeve të Netanyahut. Ndonjëherë, të kesh një “mbështetje” të tillë, apo më saktë, një “vulë gome” për vetëshkatërrim dhe kryerjen e një gjenocidi të transmetuar drejtpërdrejt, është më e keqe se mungesa e saj.

Izraeli e ka humbur luftën dhe po përpiqet të vrasë sa më shumë palestinezë, me iluzionin e rremë se kjo do ta bëjë gjenocidin të duket si një veprim i pastër. Izraeli është një shtet që ka nevojë për një mbështetje të fuqishme për të mbijetuar, mbështetje të cilën e ka marrë nga SHBA-ja dhe Evropa. Por, dy vitet e fundit, rrethi i kësaj mbështetjeje të pakushtëzuar është shkërmoqur ngadalë dhe tani ndodhet në kolaps total. Fakti që Izraeli vazhdon të ndjekë strategjinë e tij duke besuar në propagandën e vet, është një katastrofë që Netanyahu, qeveria izraelite, aleatët e tij dhe politikanët e mbështetur nga AIPAC nuk duan ta pranojnë: Lufta është e humbur. Izraeli do të përballet me izolim, akuza për gjenocid dhe shkurtime të mbështetjes ekonomike e politike. Kjo e lë një shtet gjenocidal të përballet me një realitet të ri, që nuk mund të ndryshohet. Fakti që IDF-ja, qeveria dhe elitat izraelite janë ende në gjendje të vrasin palestinezë në Gazë e në Bregun Perëndimor, si dhe të kryejnë sulme në Liban, Siri dhe Jemen, është një shenjë dobësie, jo force.

Hatem Bazian