Të martën nënshkruhet protokolli i anëtarësimit në NATO për Suedinë dhe Finlandën

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se protokolli i anëtarësimit në NATO për Suedinë dhe Finlandën do të nënshkruhet të martën e ardhshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne të martën do të nënshkruajmë zyrtarisht protokollin e anëtarësimit, me praninë e ministrave të jashtëm të Suedisë dhe Finlandës, por vendimi tashmë është marrë”, tha Stoltenberg gjatë konferencës së tij të fundit për media në samitin e Madridit.

Pas nënshkrimit, protokolli duhet të ratifikohet nga të 30 parlamentet e vendeve aleate për të lejuar që të dy vendet të bëhen pjesë e NATO-s.

Vendet nordike u ftuan zyrtarisht në aleancë pas një memorandumi trepalësh të nënshkruar të martën e kaluar nga Türkiye, Finlanda dhe Suedia.

Memorandumi adreson shqetësimet e Türkiye-s, përfshirë eksportin e armëve dhe luftën kundër terrorizmit.

Lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë, Stoltenberg tha se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet t’i tërheq forcat e tij dhe t’i japë fund kësaj lufte menjëherë.

“NATO duhet të ofrojë mbështetje për Ukrainën, por gjithashtu ka një bashkëpërgjegjësi për të parandaluar përshkallëzimin përtej Ukrainës. Nëse kjo përshkallëzohet në një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, ne do të shohim vuajtje, dëmtime dhe vdekje në një shkallë që akoma nuk e kemi parë”, deklaroi shefi i NATO-s.