Të paktën 110 persona humbën jetën në sulmet terroriste në aeroportin e Kabulit

Më shumë se 110 persona e kanë humbur jetën në sulmet terroriste në zonën ku ndodhet aeroporti ndërkombëtar “Hamid Karzai” në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të Al-Jazeera, thuhet se në sulmet terroriste kanë humbur jetën të paktën 110 persona, përfshirë 13 ushtarë amerikanë.

Një drejtues i talebanëve identiteti i të cilit nuk njoftohet, duke bërë të ditur se kanë humbur jetën 28 anëtarë të talebanëve tha se “Ne humbëm njerëz më shumë se amerikanët”.

Drejtuesi taleban më tej tha se nuk ka nevojë që SHBA-ja të zgjasë datën e saj të 31 gushtit për të përfunduar evakuimet dhe tërheqjen e saj.

Një zyrtar perëndimor për sigurinë tha se pas sulmeve janë përshpejtuar evakuimet e civilëve dhe fluturimet janë kryer rregullisht.

Ndërkohë BCC ka njoftuar se në sulme janë plagosur mbi 150 persona.

Dje dy shpërthime të ndryshme ndodhën në zonën pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul ku vazhdojnë operacionet e evakuimit.

Sulmet u dënuan nga shumë vende dhe talebanët.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në lidhje me çështjen u betua për hakmarrje duke thënë se do “të gjuajmë (si gjah) ata që kanë kryer sulmet”.

“Sulmi është kryer nga grupi i njohur si DEASH/Horosan”, tha ndër të tjera Biden.

Duke bërë të ditur se javët e fundit kishin marrë informacione inteligjente që DEASH/Horosan do të sulmonte aeroportin në Kabul, Biden kishte deklaruar se për këtë arsye ishin të vendosur që të përfundonin deri më 31 gusht misionet e tyre në Afganistan.

Zëdhënësi i Forcave Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), koloneli Bill Urban tha se numri i ushtarëve amerikanë që kanë humbur jetën në sulmin terrorist në aeroportin e Kabulit është rritur në 13 ndërsa numri i të plagosurve në 18. /aa