Tesla fiton lehtësime tatimore kineze pas komenteve të Elon Muskut rreth Tajvanit

Prodhuesit të veturave elektrike të Elon Muskut, Tesla, i janë bërë favore në taksa nga shteti kinez vetëm disa ditë pasi manjati i teknologjisë u vlerësua nga Pekini pasi ai deklaroi se Tajvani duhet të bëhet një “zonë e veçantë administrative” e qeverisur nga Partia Komuniste Kineze.

Ministria Kineze e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit zbuloi listën e saj më të fundit të automjeteve elektrike që nuk do të taksohen gjatë blerjes.

Lista përfshin njësitë më të fundit Tesla Model S dhe Model X me bateri 100 kWh. Raportohet se dy variante Model S – MSP2P dhe MSP2LR – si dhe variantet Model X MXP2P dhe MXP2LR ishin në listën e automjeteve të përjashtuara.

Përfshirja e tyre në listë sugjeron që Tesla së shpejti mund të fillojë dërgimin e veturave në Kinë, raporton nypost.

Të premten e kaluar, Musk krijoi tituj dhe polemika në botë pas intervistës për Financial Times, ku deklaroi se se Tajvani, ishulli vetëqeverisës dhe aleati i SHBA-së, të cilin Kina e sheh si pjesë të vendit të saj, duhet t’i dorëzojë kontrollin e Pekinit për të shmangur një konflikt më të gjerë që do të kishte pasojat ekonomike globale.

“Rekomandimi im…do të ishte të gjeja një zonë të posaçme administrative për Tajvanin që është mjaft e këndshme, ndoshta nuk do t’i bëjë të gjithë të lumtur”, tha Musk.

“Dhe është e mundur, dhe unë mendoj se ndoshta, në fakt, ata mund të kenë një marrëveshje që është më e butë se Hong Kongu,” shtoi Musk.

Musk parashikoi se një konflikt ushtarak midis Kinës dhe Tajvanit ka të ngjarë të zvogëlojë ekonominë globale me 30 për qind.

Ai vuri në dukje se Tesla dhe kompani të tjera të mëdha me zinxhirë furnizimi që kalojnë nëpër rajon do të ndikoheshin rëndë dhe deklaroi se “Apple do të ishte në telashe shumë të thella”.

Komentet e Musk tërhoqën zemërimin e zyrtarëve tajvanezë, ndërsa nxitën lëvdata nga Kina.