Tregim këshillues: Recetë për zemër të shëndoshë dhe jetë të lumtur

Vëmendjen ma tërhoqi njoftimi te një dyqan ku shkruante: “Riparim dhe shërim të zemrave”. Hyra brenda dhe gjeta një plak i cili më priti me buzëqeshje në fytyrë, sepse më kishte parë që njoftimin e lexova disa herë.

Me buzëqeshje në fytyrë më tha: “Po, unë i riparoj zemrat dhe i shëroj ato”. Pastaj më mori për dore dhe më tha: “Eja më afër”. Vuri veshin e tij të djathtë tek zemra ime dhe dëgjonte. Më pas tha: “Të rrahurat e zemrës tënde janë pak të shpejta. Biri im, mos ke frikë! Ilaçi për zemrën tënde është i thjeshtë. Ne këtu i riparojmë dhe i shërojmë zemrat sipas llojit të tyre.”

E luta që t’ma shpjegoj, e ai më tha: “Bazuar në përvojën time që e kam trashëguar nga babai dhe gjyshi im, në këtë botë ekzistojnë lloje të ndryshme të zemrës: zemër të lumtur, zemër të plagosur, zemër të thyer, zemër të pastër, zemër të dërmuar, zemër të zjarrtë, zemër të ngulfatur, zemër të zbutur, zemër të pakënaqur, zemër të shëndoshë, zemër të sëmurë, zemër të fortë, zemër të mbushur, zemër të mërzitur, zemër të mashtruar, zemër të lumtur dhe shumë lloje tjera të zemrës.”

I thashë: “Tek ju erdha me një dilemë, e ju më krijuat njëmijë dilema dhe dyshime.”

Ai buzëqeshi dhe më tha: “Mos u mërzit, për të gjithë ju që vini tek unë, kam një recetë. Dhe kushdo që e provon recetën time do të shërohet, nëse do Zoti.” Më pas mori lapsin dhe një letrën dhe shkroi: “Biri im, nafaka jote është shkruar, prandaj mos u shqetëso për atë; fati yt është caktuar, prandaj mos u dëshpëro; miku yt është i pafuqishëm, prandaj mos shpreso shumë; armiku yt është i dobët, prandaj mos u frikëso.
Pastro zemrën prej tre gjërave: urrejtjes, dashakeqësisë dhe hipokrizisë; ndërsa zbukuroje me tre tjera: sinqeritetit, ndershmërisë dhe modestisë.

Në zemrën tënde bëj vend për tre: për përkushtim të plotë, dashuri dhe mirënjohje ndaj Allahut. Njerëzit tjerë leja Krijuesit të tyre, ndërsa ti merru me përmirësimin e gjendjes personale. Mundohu të posedosh tre gjëra: gjuhën që madhëron Allahun, trup të durueshëm dhe mendje e cila është e angazhuar me reflektim. Ik nga tre: të folurit për njerëzit tjerë, teket e njerëzve dhe shoqërimin me ata që nuk kanë kurrfarë mirësie. Të folurit rreth njerëzve tjerë dhe të metave të tyre, është shenjë e qartë e shkatërrimit dhe poshtërsisë morale.

Është e jotja ta marrësh dhe ta praktikosh këtë recetë, ndërsa shërimi është nga Allahu!