Trump kërcënon me anulimin e armëpushimit në Gaza

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit duhet të anulohet nëse grupi palestinez nuk liron të gjithë pengjet deri të shtunën në mesditë. Megjithatë, ai pranoi se vendimi përfundimtar i takon Izraelit.

“Po nuk u kthyen, do të shpërthejë ferri,” tha Trump, duke shtuar se kishte frikë se disa prej pengjeve të planifikuara për lirimin mund të jenë tashmë të vdekur. Ai theksoi se flet për veten e tij dhe se Izraeli mund të marrë vendimin e vet.

Këto deklarata vijnë në një moment të ndjeshëm, duke rrezikuar përpjekjet për një armëpushim të qëndrueshëm dhe ndihmë humanitare për Gazën, e cila është e shkatërruar nga lufta 15-mujore.

Në një intervistë për Fox News, Trump gjithashtu deklaroi se palestinezët në Gaza nuk do të kenë të drejtën e kthimit në territoret e tyre nën planin e tij për “pronësinë amerikane” të rajonit, një deklaratë që bie ndesh me qëndrimet e zyrtarëve të tjerë të administratës së tij.

Ai gjithashtu ka rritur presionin mbi shtetet arabe, sidomos mbi aleatët amerikanë si Jordania dhe Egjipti, që të pranojnë palestinezë nga Gaza. Kur u pyet nëse do të konsideronte ndalimin e ndihmës financiare për këto vende nëse nuk i pranojnë, Trump u përgjigj: “Po, ndoshta. Pse jo?” /mesazhi