Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se shtetet anëtare të Bordit të Paqes do të shpallin një angazhim financiar mbi 5 miliardë dollarë për rindërtimin dhe ndihmën humanitare në Gaza.
Sipas Trump, vendet anëtare janë zotuar gjithashtu të dërgojnë mijëra pjesëtarë për një forcë stabilizimi të autorizuar nga Kombet e Bashkuara, si dhe për mbështetjen e policisë lokale në territorin palestinez.
Takimi i parë zyrtar i Bordit të Paqes pritet të mbahet të enjten në Uashington, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga më shumë se 20 vende, përfshirë edhe krerë shtetesh. Krijimi i bordit është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së si pjesë e planit amerikan për t’i dhënë fund luftës izraelite në Gaza.
Armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi në tetor, por sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, më shumë se 600 palestinezë janë vrarë që nga ajo kohë nga veprimet e forcave izraelite.
Në Bord janë përfshirë vende si Turqia, Egjipti, Arabia Saudite, Katari, Izraeli dhe Indonezia, ndërsa disa fuqi të mëdha perëndimore kanë treguar më shumë rezervë. /mesazhi








