Trump fiton zgjedhjet ne SHBA, pritet te shpalle fitoren

Nuk është ende verdikti final, por duket se në kampin e Hillary Clinton janë dorëzuar. Këtë e konfirmoi tërthorazi shefi i fushatës së kandidates demokrate, John Podesta.

Nga Jarvis Center në Nju Jork ai shpërndau mbështetësit e grumbulluar të Clinton duke deklaruar se ajo nuk do të dilte për fjalim.

“E di që jeni këtu prej një kohë të gjatë. Ka qenë një natë e gjatë, një fushatë e gjatë dhe unë mendoj se ne mund të presim ende edhe pak, apo jo? Jemi duke numëruar votat, çdo votë duhet numëruar. Disa shtete janë në përfundim të procesit, ndaj nuk kemi gjë për të thënë sonte. Nuk ka përfunduar! Ajo nuk është dorëzuar ende, ndaj le të përfundojmë numërimin dhe ta mbyllim këtë proces”, tha Podesta.

Ndërkohë, nëse në kampin e Clintonit ka pllakosur heshtja, në atë të Donald Trump gjallëria sa vjen e shtohet. Vetë kandidati republikan është parë të hyjë në zyrat qendrore të fushatës së tij, ndërkohë që numërimi vazhdon.

Trump aktualisht ka siguruar 248 vota, ndërsa Clinton 218. Michigani dhe Pennsylvania janë dy shtetet që vendosin fituesin. Në të dy shtetet Trump është në avantazh. Në Michigan 48.1 përqind kundrejt 46.8 përqind të Clinton dhe në Pennsylvania me 48.9 përqind kundrejt 47.6 përqind të kandidates demokrate.