Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trumpi: Nuk ka tensione me kryeministrin spanjoll Sanchez

Trumpi: Nuk ka tensione me kryeministrin spanjoll Sanchez

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se nuk ka tensione me kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez, pavarësisht se së fundmi kishte urdhëruar ndërprerjen e plotë të tregtisë me vendin europian.

“Nuk kam tensione me të. Nuk kam tensione me askënd”, u tha Trumpi gazetarëve pas fitores 1-0 të Spanjës ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës FIFA.

Presidenti amerikan tha se i kishte uruar zyrtarët spanjollë për “skuadrën e tyre të shkëlqyer”, ndërsa finalen e përshkroi si një “ndeshje emocionuese” dhe një “ngjarje madhështore”.

Ai hodhi poshtë sugjerimet se ishte mërzitur nga humbja e Argjentinës, duke thënë se “Spanja luajti më mirë”, edhe pse “ndeshja ishte shumë e barabartë”.

Deklaratat pajtuese shënojnë një ndryshim të ndjeshëm në retorikën e Trumpit.

Në fillim të këtij muaji, ai e cilësoi Spanjën si një “kauzë të humbur” dhe një “partnere të tmerrshme në NATO”, për shkak të refuzimit të Madridit për t’u lejuar forcave amerikane qasje në bazat spanjolle gjatë konfliktit me Iranin, si dhe për mospranimin e objektivit për shpenzime të mbrojtjes në nivelin 5 për qind.

“Nuk dua të kem asgjë të bëj me Spanjën. Ndërprisni, ju lutem, çdo tregti me Spanjën, përfshirë edhe vizitat”, tha ai në një konferencë për media gjatë samitit të NATO-s në Ankara, Türkiye.

“Mos flisni as me ta. Janë të pashpresë, njerëz të këqij”, shtoi presidenti.