Trupat e EUFOR-it me stërvitje ushtarake të shkallës së lartë në Bosnjë

Mijëra trupa nga misioni i BE-së në Bosnjë për ruajtje të paqes, kanë kryer ushtrime të shkallës së lartë të quajtura “Reagimi botëror 2022”, pas rritjes së tensioneve në këtë shtet, raporton agjencia AP.

Ushtarë nga 20 shtete të ndryshme kanë marrë pjesë në stërvitje ku prezentë ishin edhe forcat speciale nga Italia, Austria dhe Turqia.

Ata kanë treguar aftësitë për të reaguar në rast të një kërcënimi potencial të paqes në Bosnjë-Hercegovinë.

Bashkimi Evropian ka vendosur ta shtojë prezencën ushtarake në Bosnjë më herët këtë vit, pasi lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, përdori fushatën zgjedhore për ndarjen e Republika Sërpskas nga Bosnjë-Hercegovina.

Ky është parë si rrezik potencial për një konflikt të ri në Ballkan.

Aurelie Valtar, zv.shefe e misionit të BE-së në Bosnjë, ka thënë se rritja e prezencës së BE-së tregon përkushtimin e palëkundur të bllokut ndaj sovranitetit e integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës. /koha