Turqi, 273 zjarre pyjore janë vënë nën kontroll dhe 2 vazhdojnë të jenë aktive

Bekir Pakdemirli

Ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve i Turqisë, Bekir Pakdemirli, ka bërë të ditur se rreth 273 zjarre pyjore në vendin e tij janë vënë nën kontroll, ndërsa dy vazhdojnë të jenë aktive në provincën Muğla të Egjeut, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para takimit koordinues për shuarjen e zjarrit në qytetin Marmaris, ministri turk tha se Turqia po lufton zjarret masive tashmë 14 ditë.

Pakdemirli njoftoi se gjithsej 275 zjarre shpërthyen në 53 provinca në të gjithë Turqinë për shkak të kushteve të motit të nxehtë, me erë dhe të thatë.

Ai shtoi se përpjekjet për të shuar zjarret në provincën Muğla vazhduan përmes operacioneve tokësore dhe ajrore.

Më vonë, në një postim në llogarinë e tij në twitter, Pakdemirli njoftoi se në rrethin Milas të provincës Muğla zjarri ishte vënë nën kontroll pasi ishte aktiv për plotë 11 ditë. Ai shtoi se përpjekjet e ftohjes në këtë vend po vazhdojnë.

Zjarret në Greqi

Më tej, Pakdemirli foli për planet e paralajmëruar për të dërguar dy avionë 40-tonësh në Greqi me kërkesën e këtij vendi për avionë zjarrfikës shtesë.

“Kur të kemi kapacitet të tepërt, nuk duhet të shmangim dërgimin e tyre tek fqinjët tanë. Pyjet nuk janë vetëm tonat, por i përkasin të gjithë botës. Bimësia dhe jeta e egër këtu i përkasin të gjithë botës”, u shpreh Pakdemirli.

Për flakët e vazhdueshme në Greqi, ministri turk tha se madhësia e zjarreve ka arritur dimensione shumë kritike duke marrë parasysh madhësinë e vendit dhe pyjeve të tij.

Ai shtoi se flakët përbëjnë një kërcënim “serioz” për zonat e banuara.

Greqia po lufton zjarret e egra për tetë ditë dhe me mijëra njerëz janë evakuuar deri më tani. /aa