Turqi: Zyrtarët turq shënojnë përvjetorin e grusht shtetit të mposhtur

Zyrtarët turq shënuan sot përvjetorin e pestë të grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016 në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Twitter, zëvendës-presidenti Fuat Oktay uroi mëshirën e Allahut për personat që humbën jetën në parandalimin e “këtij sulmi të turpshëm gjatë përpjekjes tradhtare të grusht shtetit më 15 korrik” dhe shpërndau një video duke nderuar ata që humbën jetën gjatë natës së grusht shtetit.

Ai po ashtu citoi vërejtjet e presidentit Recep Tayyip Erdogan: “Ne nuk kemi parë ose njohur asnjë fuqi tokësore mbi vullnetin e kombit, as nuk do të shohim”.

Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu lëshoi një mesazh, duke thënë se përpjekja për grusht shteti e FETO-s “sulmoi vullnetin dhe demokracinë e kombit”.

“Planet e tyre të errëta dështuan para agimit, morën një goditje të vërtetë me zhvillimin dhe vendosmërinë për të rindërtuar të ardhmen e vendit tonë pas asaj nate”, shtoi ai.

Soylu po ashtu shtoi se Turqia ka një fjalë në prodhimin e avionëve pa pilot në të gjithë botën dhe është në gjendje të mbrojë të drejtat e saj ndërkombëtare në çështje të ndryshme nga Mesdheu Lindor deri në Libi.

Ai nënvizoi se Turqia, si një fener shprese për të shtypurit, është në gjendje të mbrojë të drejtat e saj kundër ‘status quo’-s së dëshiruar për t’u vendosur në kufirin e saj jugor.

Ministria e Brendshme ka kryer 135.916 operacione që nga grusht shteti i mposhtur si pjesë e luftës kundër FETO-s, vuri në dukje ai.

Derisa më shumë se 312 mijë të dyshuar u arrestuan, rreth 99 mijë prej tyre mbetën në paraburgim, shtoi ai.

Turqia shënon 15 korrikun si Ditën e Demokracinë dhe Unitetit Kombëtar me aktivitete në të gjithë vendin për të përkujtuar ata që humbën jetën duke kthyer prapa puçistët dhe për të kujtuar trimërinë e kombit.

FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gülen orkestruan grusht shtetin e mposhtur të 15 korrikut të vitit 2016 në të cilin 251 persona u martirizuan ndërsa 2.734 të tjerë u plagosën.

Ankaraja po ashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor. /aa