Turqia bën thirrje në OKB që të mbahen hapur kanalet e dialogut Rusi-Ukrainë

Turqia theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes hapur të kanaleve të dialogut ndërmjet Moskës dhe Kievit për një zgjidhje paqësore, në seancën e posaçme të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën.

“Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës duke përfshirë edhe Krimenë”, u tha gjatë seancës në një deklaratë nga Përfaqësia e Përhershme e Turqisë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.

Duke theksuar se Turqia hedh poshtë sulmet ushtarake kundër Ukrainës, të cilat përbëjnë një shkelje të Kartës së OKB-së, deklarata bën këtë vlerësim: “Ne jemi të shqetësuar për efektet afatgjata të konflikteve në Ukrainë dhe në botë. Komuniteti ndërkombëtar nuk është në gjendje të përballojë rreziqet e mundshme të sfidave të tilla rajonale dhe globale.”

Pasi vë në pah se pamjet e situatës humanitare në kryeqytetin Kiev dhe në qytetet Buça e Mariupol të Ukrainës janë tmerruese, deklarata vijon me këto fjalë: “Ne ndajmë pikëllimin e popullit ukrainas. Sulmet ndaj civilëve të pafajshëm dhe infrastrukturës civile janë absolutisht të papranueshme.”

Më tej, Përfaqësia e Përhershme e Turqisë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë nënvizon se ata që kanë vënë në shënjestër civilët, duhet të mbajnë përgjegjësi në kuadër të një hetimi të pavarur.

“Ne besojmë se kanalet e dialogut duhet të mbahen të hapura për të përmirësuar situatën humanitare dhe për të arritur një zgjidhje paqësore. Turqia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj për të siguruar paqen”, thuhet në fund të deklaratës në fjalë.

Ushtria ukrainase, e cila çliroi nga forcat ruse më 1 prill qytetin e Buçës, shumë pranë Kievit, u përball me një qytet plot kufoma dhe me ndërtesa të shkatërruara. Në vendbanimet e çliruara pranë Kievit u gjetën trupat e pajetë të 410 civilëve.

Ushtria ruse filloi një ofensivë në Ukrainë më 24 shkurt (2022).

Të paktën 3.500 civilë janë vrarë dhe 3.760 të tjerë janë plagosur nga ushtria ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, me shifrat reale që dyshohet se mund të jenë shumë më e larta.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) bën me dije se rreth 6 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe më shumë se 7,7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit. /trt