Turqia: Dënimi me burg të përjetshëm i “Kasapit të Bosnjës” Mlladiç, vendim i drejtë

Ministria e Jashtme e Turqisë tha se dënimi me burg të përjetshëm i Ratko Mlladiçit i njohur si “Kasapi i Bosnjës” nga Gjykata e OKB-së në Hagë “është vendim i drejtë në aspektin e përcaktimit të drejtësisë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga ministria rikujtohet se Mlladiç ishte dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për shkak të gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe shkeljen e ligjit të luftës që ai kishte kryer gjatë viteve 1992-1995.

“Vendimi në fjalë edhe pse nuk i ndal vuajtjet e familjarëve të viktimave të gjenocidit të Sebrenicës, është një vendim i drejtë në aspektin e përcaktimit të drejtësisë. Urojmë që vendimi të shërbejë për paqe dhe dakordim në Bosnjë e Hercegovinë dhe në rajon si dhe të kontribuojë që sulme të ngjashme të mos përsëriten më”, thuhet në deklaratë.

U mbajt përgjegjës për gjenocidin e Sebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës

Mlladiç i cili udhëhoqi forcat serbe në luftën në Bosnjë e Hercegovinë në vitet 1992-1995, u gjykua si përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës, rrethimin e Sarajevës dhe krime të ndryshme të luftës.

Pas aktakuzës së përgatitur ndaj tij në vitin 1995, Mlladiç u fsheh për 16 vite dhe më pas u kap në Serbi më 26 maj në vitin 2011 ndërkohë që gjykimi i tij filloi në maj 2012.