Turqia dhe Brunei konfirmojnë vendosmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm

Turqia dhe Brunei kanë ri-konfirmuar vendosmërinë e tyre për të përmirësuar bashkëpunimin e tyre në fusha të ndryshme, raporton Anadolu.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe Sulltani i Bruneit, Hassanal Bokiah, i cili qëndron për vizitë në Ankara, folën në një konferencë të përbashkët për media, pasi dy liderët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe bisedime me delegacionet e tyre në kompleksin presidencial.

Erdoğan tha se ata gjatë takimit diskutuan marrëdhëniet dypalëshe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

“Ne konfirmuam marrëveshjen tonë për të zhvilluar bashkëpunimin dypalësh. Kemi shkëmbyer mendime rreth fushave të investimeve që do të zgjerojnë marrëdhëniet tona ekonomike dhe tregtare”, tha presidenti turk.

Ai gjithashtu theksoi se u diskutua për potencialin midis Turqisë dhe vendit të Azisë Juglindore për bashkëpunim në fusha të tilla si industria e mbrojtjes, energjia, turizmi, kujdesi shëndetësor, financat islame dhe prodhimi hallall.

Përveç çështjeve dypalëshe, Erdoğan dhe Bolkiah po ashtu trajtuan zhvillimet e fundit globale dhe çështjet që lidhen me Palestinën, muslimanët Rohingya dhe islamofobinë.

Erdoğan tha se ata gjithashtu theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit në platformat rajonale dhe ndërkombëtare si në Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC).

Nga ana e tij, Bolkiah përcolli “ngushëllimet më të thella” të tij për Turqinë dhe popullin turk pas tërmeteve shkatërruese që goditën rajonin jugor të vendit më 6 shkurt.

“Unë besoj se me përpjekjet e qeverisë dhe qëndrueshmërinë e popullit turk, Turqia do të vazhdojë dhe do të dalë më e fuqishme nga kjo tragjedi”, tha ai.

Lidhet dypalëshe midis Turqisë dhe Bruneit, theksoi Bolkiah, janë zhvilluar në “mënyrë të jashtëzakonshme”. Ai shtoi se Brunei synon të forcojë bashkëpunimin në fushën e arsimit, mbrojtjes, tregtisë dhe ekonomisë.