Ballina Artikuj Turqia në Sistemin Ndërkombëtar Shumëkohor: Ekuilibri Racional përballë Teopolitikës

Turqia në Sistemin Ndërkombëtar Shumëkohor: Ekuilibri Racional përballë Teopolitikës

Ali Maskan

Baza teorike

Në shkrimin tonë të kaluar, konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit e kishim analizuar nga këndvështrimi i “fundit të kohës së shenjtë”. Le të vazhdojmë prej aty, duke përfshirë edhe faktorin Turqi në këtë model.

Çdo traditë fetare e konsideron procesin e shpalljes hyjnore si një pikë kthese në kuptimin e historisë. Në këtë aspekt, historia mund të lexohet në dy nivele të ndryshme ndërgjegjeje: “para shpalljes”( pre-revelation) dhe “pas shpalljes” (post-revaliation). Kjo ndarje i jep qartësi edhe analizës sonë.

Çdo fe, pas shpalljes që i është dhënë, nis një cikël historik dhe, me bindjen se nuk do të ketë më diçka thelbësisht të re në jetë, ku fillon të pres fundin e historisë. Por ky “fund” mund të jetë në të vërtetë një fillim i ri.

Për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, ky cikël historik fillon në periudha të ndryshme, sepse çdo shpallje mbart brenda saj një vazhdimësi mijëravjeçare.

Për këtë arsye, ata që e kanë përfunduar më herët ciklin e shpalljes janë edhe më të prirur të përshpejtojnë pritjen për fundin e historisë. Në shoqëritë myslimane ekzistojnë përfytyrime për Kijametin, por shtetet zakonisht nuk ndërtojnë politikat e tyre mbi këto skenare. Ndryshe paraqitet situata në disa rryma shiite, siç e kemi përmendur edhe më parë.

Kjo krijon dallime në qasjen strategjike të aktorëve: disa përpiqen ta përshpejtojnë fundin, disa të përgatiten për të dhe disa të tjerë ta shtyjnë atë. Prandaj, marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të analizohen në kuadër të “Teorisë së Sistemit Ndërkombëtar Shumëkohor”.

Reflektimi i Kohës së Shenjtë

Qasja e “strategjisë së kohës së shenjtë” e trajton tensionin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit jo thjesht si konflikt ushtarak, por si një përplasje të perceptimeve teologjike të kohës dhe objektivave mesianike.

Kjo qasje tregon se kemi të bëjmë me një trekëndësh aktorësh që veprojnë jo vetëm sipas logjikës racionale politike, por edhe sipas një “kalendari të shenjtë”. Strategjitë e tyre përplasen në përputhje me pritjet eskatologjike të sistemeve të tyre fetare, ndërsa Turqia shfaqet si një faktor që përpiqet të ruajë një ekuilibër racional në këtë “lojë shahu” teologjikë.

Perceptimi i fundit të kohës: e shtyn Izraelin dhe segmentet evangeliste në SHBA drejt përgatitjes së kushteve për ardhjen e Mesihut dhe ndërtimin e Tempullit të Tretë ndërsa Iranin e shtyn drejt menaxhimit të kaosit dhe rezistencës për të përshpejtuar ardhjen e Imamit të 12-të (Mehdiut), përmes konceptit të “Velajet-it të Fakihut”.

SHBA-ja e mbështet Izraelin jo vetëm si aleat strategjik, por edhe sepse një pjesë e fuqishme evangeliste në SHBA e sheh ekzistencën e Izraelit si kusht për shpëtimin e tyre fetar. Për këtë bllok, “koha” matet me realizimin e profecive biblike. Vendime si shpallja e Jerusalemit kryeqytet interpretohen si hapa për përshpejtimin e këtij “orari të shenjtë”.

Nga ana tjetër, Irani vendos përballë këtij “kalendari mesianik” perëndimor një koncept të vetin të “kohës së shenjtë”. Prania e saj në Liban, Siri dhe Jemen nuk është vetëm ndikim gjeopolitik, por edhe pjesë e një “marshi të shenjtë”. Izraeli shihet si figurë “dexhalli”, ndërsa lufta konceptohet më shumë si një provë besimi sesa si një përballje e thjeshtë ushtarake.

Nëse konflikti aktual mes këtyre aktorëve përshkallëzohet në një luftë të përgjithshme, e mbështetur nga operacione tokësore, atëherë pritjet për ngjarje apokaliptike si Armagedoni apo “Melhameja e Madhe” që mund të aktivizohen.

Në një skenar të tillë: siguria ndërkombëtare,
kontrolli i energjisë dhe stabiliteti ekonomik
mund të kalojnë në plan të dytë, ndërsa “vendosja e së vërtetës” kthehet në prioritet strategjik. Diplomacia shndërrohet vetëm në një mjet për të fituar kohë, ndërsa armët bërthamore mund të shihen jo më si mjete parandalimi, por si instrumente që çojnë drejt një fundi apokaliptik.

Megjithatë, sjellja e këtyre aktorëve nuk mund të shpjegohet plotësisht vetëm me motive teologjike. Por është e pamohueshme se narrativat eskatologjike luajnë një rol të rëndësishëm në legjitimimin dhe orientimin e vendimeve strategjike.

Mungesa e pritjeve eskatologjike të Turqisë: A është avantazh apo rrezik?

Turqia nuk është e përfshirë as në “shtytjen apokaliptike” të boshtit SHBA–Izrael dhe as në kalendarin eskatologjik “të fokusuar te Mehdiu” të Iranit. Kjo qasje sekulare e bën Ankaran një nga aktorët më racionalë dhe më të parashikueshëm në rajon. Por, njëkohësisht, krijon edhe rrezikun që, brenda “kronologjisë së shenjtë” të rivalëve të saj, veprimet e Turqisë të perceptohen si “devijim strategjik” ose si një “pengesë sekulare që duhet kapërcyer”.

Turqia, me identitetin e saj si një lloj “barriere e Tokës së Premtuar”, përballet drejtpërdrejt me skajin eskatologjik të zgjerimit teologjik të Izraelit që shtrihet deri në kufijtë e Anadollit. Ky kontakt gjeografik e nxjerr Turqinë përtej rolit të një aktori të thjesht racional, duke e kthyer në një objektiv të drejtpërdrejtë të strategjive “të shenjta” dhe në një nyje kyçe të betejës për mbijetesë.

Politika e jashtme e Turqisë: “Frena racionale”

Turqia nuk vepron sipas një kalendari të shenjtë, por mbi bazën e interesave kombëtare dhe stabilitetit rajonal. Me një qasje sekulare gjeopolitike, ajo përballet me çështje konkrete si: korridoret energjetike , siguria kufitare dhe flukset e refugjatëve. Ndërkaq, lëvizjet e rivalëve të saj, të bazuara në “profeci”, materializohen si kërcënime reale për Turqinë. Në vend të një roli klasik “ndërmjetësuesi”, Turqia ndjek një strategji të “mbylljes së hapësirave” (area denial). Pra, në vend që të përfshihet në një konflikt me ngarkesë mesianike, ajo synon ta bllokojë zgjerimin e saj përmes krijimit të një brezi sigurie. Në këtë aspekt, Turqia nuk është vetëm një aktor balancues, por edhe një “aktor tampon ndërkohor”, që qëndron mes logjikave të ndryshme të kohës (teologjike dhe historike). Kjo e bën atë një nga shtetet më të domosdoshme në rajon. Bashkërendimi i interesave mes sistemeve si Greenwich dhe Kandilli (si simbolikë e kohës globale dhe lokale) mund t’i japë Turqisë një fuqi përtej parashikimeve në fushat e financës, energjisë dhe të tregtisë. Megjithatë, një potencial i tillë mbart edhe rreziqe të mëdha.

Ndikimi mbi aktorët e tjerë

Për SHBA-në dhe Izraelin: Turqia shihet si një “pengesë sekulare që duhet bindur” edhe si barriera më e madhe politike e ushtarake, përpara zgjerimit teologjik. Për këtë arsye, lind tendenca që ajo të vihet nën ndikim përmes presioneve financiare dhe ushtarake.
Për Iranin: Neutraliteti i Turqisë pengon që strategjia iraniane për krijimin e një “kaosi të shenjtë” përmes polarizimit shiito-sunit të gjejë përkrahje të plotë në botën sunite.
Për vendet e rajonit: Turqia paraqitet si një “ombrellë sigurie” dhe si një model i mesëm, ku mund të strehohen përballë ekstremizmave me karakter mesianik. Përplasja mes përpjekjes së SHBA-Izraelit për ndërtimin e një “mbretërie hyjnore” dhe rezistencës së Iranit të bazuar në konceptin e Mehdiut është në thelb një garë drejt “fundit të kohës”. Në këtë kontekst, fakti që Turqia nuk ka një objektiv eskatologjik e bën atë njëkohësisht: objektivin më të madh të këtij konflikti dhe një nga zgjidhjet e vetme të mundshme. Turqia ndjek një politikë që nuk pret “kohën e shenjtë”, por synon të menaxhojë “kohën historike”, duke vepruar si një balancuese racionale.

Skenarët e mundshëm të luftës dhe pasojat

Struktura aktuale shumëkohore i bën konfliktet të ndryshme nga luftërat klasike. Për një përplasje të mundshme mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit mund të parashikohen tre skenarë kryesorë:
“Kaos i kontrolluar” (më i mundshmi): Konflikte të kufizuara, përdorim i forcave proxy dhe luftë ekonomike. Në këtë skenar: Irani mbijeton, siguria e Izraelit rritet, SHBA-ja shmang përfshirjen direkte.
“Luftë rajonale”: Përfshirja e Libanit, Sirisë dhe Irakut sjell kriza të mëdha energjetike dhe migratore.
“Thyerje e madhe”: (rrezik i ulët, por kritik)
Luftë direkte SHBA/Izrael–Iran, me pasoja që mund të tronditin gjithë sistemin global.

Roli dhe avantazhet e Turqisë

Fakti që Turqia nuk vepron mbi baza eskatologjike i krijon asaj mundësi të rëndësishme, siç mund të janë: të luajë rol ndërmjetësues, të shndërrohet në nyje kyçe të energjisë dhe tregtisë dhe të mbetet një fuqi balancuese edhe në kushte kaosi. Megjithatë, ekzistojnë edhe rreziqe konkrete, si: presioni i sigurisë përmes Sirisë dhe Irakut, ndikimet ekonomike dhe valët e migrimit. Konflikti aktual nuk duhet parë vetëm si një përplasje gjeopolitike, por edhe si një përballje e perceptimeve të ndryshme të kohës. Në këtë betejë të “kohës së shenjtë”, Turqia nuk është një aktor që e dikton kohën, por një aktor që e balancon atë. Edhe pse është e vetëdijshme se shtetet mund të përdorin narrativat fetare për qëllime politike, Turqia e ndërton gjithmonë qëndrimin e saj strategjik mbi bazën e interesave kombëtare.

Përfundim

Në këtë analizë u përpoqëm t’i lexojmë tensionet gjeopolitike jo vetëm nga këndvështrimi ushtarak apo ekonomik, por edhe përmes dallimeve në perceptimin e kohës dhe strategjive që burojnë prej tyre.

Roli potencial i Turqisë në këtë kontekst, si dhe kontributi që kjo qasje mund të japë në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, u trajtuan duke u mbështetur në tensionin mes “kohës së shenjtë” dhe “kohës historike”.

Edhe pse në traditën turke ekzistojnë besime për fundin e kohës, ato nuk përfshihen kurrë në objektivat strategjike kombëtare apo ndërkombëtare. Në këtë aspekt, Turqia nuk është një aktor që përshpejton apo sakralizon kohën, por një aktor që e balancon atë, duke vonuar prishjen e sistemit ndërkombëtar.

Kjo e vendos Turqinë njëkohësisht në rolet si objektiv të mundshëm, forcë balancuese dhe si një element qendror në një qasje të re teorike në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Teoria e Sistemit Ndërkombëtar Shumëkohor” ndërton një model origjinal që vendos në një kornizë të përbashkët faktorët e besimit, fuqisë dhe kohës. Ajo mundëson analizimin e aktorëve ndërkombëtarë përmes strategjive të tyre kohore, mjeteve që përdorin dhe objektivave sistemike që ndjekin.

Kjo teori nuk ndihmon vetëm për të kuptuar krizën aktuale, por hap edhe një perspektivë të re konceptuale për analizimin e konflikteve të ardhshme.

Shkruan: Ali Maskan