Turqia neutralizon 6 terroristë të YPG/PKK-së në Sirinë veriore

Forcat turke të sigurisë neutralizuan gjashtë terroristë të YPG/PKK-së në Sirinë veriore, njoftoi Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Terroristët u neutralizuan me mbështetjen e automjeteve të armatosura tokësore ndërsa po planifikonin të sulmonin zonën e operacionit “Burimi i Paqes”, tha ministria në Twitter.

Autoritetet turke përdorin termin “neutralizim” për të nënkuptuar se terroristët në fjalë janë dorëzuar, vrarë ose kapur.

Që nga viti 2016, Turqia nisi disa operacione të suksesshme antiterroriste përgjatë kufirit me Sirinë, ndërsa synimi ishte parandalimi i formimit të korridorit terrorist me qëllim të mundësimit të mjedisit të sigurt për kthimin e banorëve. Bëhet fjalë për operacionet “Mburoja e Eufratit” (2016), “Dega e Ullirit” (2018) dhe “Burimi i Paqes” (2019).

Gjatë fushatës terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cila është shpallur organizatë terroriste në Turqi, SHBA dhe BE, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, në mesin e të cilëve gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është degë siriane e PKK-së.