Turqia përshëndet hapin e SHBA-së për të hequr kushtet për shitjen e avionëve F-16

Turqia përshëndeti hapin e fundit të SHBA-së për të hequr disa dispozita në tekstin përfundimtar të buxhetit të mbrojtjes së SHBA-së për shitjen e avionëve F-16 Ankarasë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij moldav Nicu Popescu në Stamboll, ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu tha: “Në fund, mungesa e një elementi negativ (në projektligj) është zhvillim pozitiv. Ne e mirëpresim këtë”.

Amendamentet e paraqitura në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së që bënin që shitjet e avionëve luftarakë F-16 Turqisë të vareshin nga një sërë kushtesh, u hoqën në projektligjin përfundimtar të shpenzimeve të mbrojtjes.

Miratimi i këtij projektligji dhe përfundimi i blerjeve do t’i shërbente “interesit të të gjithëve”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se procesi duhet të finalizohet “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Zhvillimi ndodh pasi dy amendamente të paraqitura nga senatorët Demokratë, Bob Menendez dhe Chris Van Hollen, që lidhnin shitjet e avionëve F-16 Turqisë me disa kushte, u hoqën nga versioni i Senatit i projektligjit të shpenzimeve vjetore të mbrojtjes së SHBA-së.

Amendamentet kërkonin të vendoseshin disa kufizime në shitjen e avionëve F-16 dhe kompleteve të modernizimit të Turqisë, duke përfshirë mospërdorimin e avionëve luftarakë për të shkelur hapësirën ajrore greke dhe duke kërkuar që administrata e presidentit Joe Biden të vërtetonte se shitja do të ishte në interes kombëtar.

Pasi Senati të miratojë Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, ai do të shndërrohet në një tekst të përbashkët me një version të mëparshëm të miratuar brenda Dhomës së Përfaqësuesve përpara se të dërgohet në tryezën e presidentit Joe Biden për t’u nënshkruar në ligj.