Turqia: Suedia dhe Finlanda asnjë progres në plotësimin e kushteve tona për anëtarësim në NATO

Suedia dhe Finlanda nuk kanë përmbushur ende kushtet që Turqia ka vendosur në këmbim të mbështetjes së kandidaturës së tyre në NATO.

“Këto dy vende duhet të mbajnë premtimet e tyre dhe të respektojnë nenet e memorandumit të mirëkuptimit, deri më tani nuk kemi parë asnjë hap në këtë drejtim”, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu në një intervistë për kanalin Tv100.

Në samitin e fundit të NATO-s në Madrid, Turqia mbështeti kandidaturën e Suedisë dhe Finlandës në Aleancë në këmbim të një distancimi nga vendet skandinave nga grupet e konsideruara terroriste nga Ankaraja dhe ekstradimin e disa militantëve të dyshuar.

“Aktualisht, parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s po ratifikojnë protokollet e anëtarësimit për Helsinkin dhe Stokholmin, por Turqia nuk e ka dërguar ende dokumentin në Asamble sepse pret që të dy vendet të respektojnë marrëveshjen e arritur në Madrid”, tha Çavushoglu. /atsh