Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punësim të Refugjatëve Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka deklaruar sot se dhuna izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar ka arritur “nivele rekord”.
Në një deklaratë zyrtare, Lazzarini tha se ajo që po ndodh në Bregun Perëndimor përbën “luftën e heshtur izraelite”, e cila nuk ka marrë vëmendjen e mjaftueshme mediatike dhe ndërkombëtare.
Ai theksoi se që nga tetori i vitit 2023, dhuna në Bregun Perëndimor ka shënuar nivele të paprecedenta, duke rezultuar në vrasjen e më shumë se një mijë palestinezëve, rreth një e katërta e të cilëve janë fëmijë.
Që nga fillimi i luftës së shkatërrimit në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023, Izraeli ka intensifikuar veprimet e tij ushtarake dhe sulmet e kolonëve në Bregun Perëndimor, përfshirë vrasje, shembje shtëpish, zhvendosje të detyruara të palestinezëve dhe zgjerim të kolonive.
Sipas të dhënave, ky përshkallëzim gjatë më shumë se dy viteve të fundit ka çuar në rënien dëshmorë të 1110 palestinezëve, plagosjen e rreth 11 mijë e 500 të tjerëve dhe arrestimin e mbi 21 mijë personave.
Lazzarini shtoi se sulmet e kolonëve izraelitë vazhdojnë pa ndërprerje, ndërsa komunitetet palestineze përballen vazhdimisht me frikësim, dëbim nga tokat e tyre, shkatërrim të mjeteve të jetesës dhe mungesë totale të llogaridhënies.
Aktualisht, rreth 770 mijë kolonë izraelitë jetojnë në qindra koloni dhe poste koloniale në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë 250 mijë në Kudsin Lindor, dhe kryejnë sulme të përditshme ndaj qytetarëve palestinezë me qëllim zhvendosjen e tyre të detyruar.
Ai theksoi gjithashtu se dhjetëra mijëra palestinezë vazhdojnë të jenë të zhvendosur edhe pas një viti nga nisja e operacionit izraelit të quajtur “Muri i Hekurt”, që përbën valën më të madhe të zhvendosjes që nga viti 1967, ndërsa shtëpitë e tyre po shemben gradualisht për të pamundësuar kthimin.
Në përfundim, Lazzarini vuri në dukje se, ndërsa vëmendja globale është përqendruar kryesisht në Gaza, shkeljet flagrante të së drejtës ndërkombëtare humanitare në Bregun Perëndimor janë bërë pothuajse normale. /mesazhi








