Ushtarët izraelitë vrasin 2 palestinezë në Bregun Perëndimor

Ushtarët izraelitë kanë vrarë dy të rinj palestinezë dhe kanë plagosur tetë të tjerë në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve “WAFA”, drejtori i Spitalit Ibn Sina në Jenin, Samir Atiyye, ka njoftuar se si pasojë e zjarrit të hapur nga forcat pushtuese gjatë bastisjes në fshatin Kefr Dan në perëndim të qytetit, dy persona kanë humbur jetën dhe tetë janë plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Atiyye deklaroi se Muhammed Samir Hushiye, 21-vjeçar, është goditur në gjoks, kurse Fuad Mahmud Ahmed Abid, 17-vjeçar, është qëlluar në stomak.

Agjencia e lajmeve tha se ushtria izraelite bastisi fshatin Kefr Dan me një numër të madh ushtarësh dhe synoi të shkatërrojë shtëpinë e palestinezit Abdurrahman Hani Abid, i cili kishte humbur jetën më parë. Gjatë bastisjes dhe operacionit për të bllokuar shtëpinë në fjalë kanë ndodhur përleshje mes forcave pushtuese izraelite dhe të rinjve në rajon.

Ushtarët izraelitë arrestuan Mahir Abid-in, vëllain e Abdurrahman Hani Abid.

Në ngushëllimet e saj, Lëvizja Fatah njoftoi se nesër do të mbahet një ceremoni mortore para Spitalit Shtetëror të Jenin-it për të rinjtë që humbën jetën.

Sipas të dhënave të OKB-së, administratës së Palestinës dhe organizatave joqeveritare, forcat izraelite gjatë gjithë vitit 2022 kanë vrarë 220 persona, përfshirë 48 fëmijë, 168 prej tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe 52 në Gazën e bllokuar.