Ushtria e Jemenit të shtunën tha se ka vrarë të paktën 700 luftëtarë të Huthive në 257 operacione të kryera në disa fronte, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, zëdhënësi ushtarak, koloneli Majed al-Nuzaili, tha se forcat qeveritare i kryen operacionet duke përdorur avionë luftarakë, dronë, artileri, raketa dhe raketahedhës.
Operacionet u kryen në Sana, Midi, Baqim dhe në fronte në Al-Xhevf, Marib, Al-Bejda dhe Lahj, ndërsa përpjekjet kryesore operacionale u përqendruan në frontet e Taizit, shtoi ai.
Ndër objektivat ishin qendrat e komandës dhe kontrollit, përqendrimet e trupave, grumbullimet dhe rezervat luftarake, depot e armëve dhe municioneve, si dhe rrugët e furnizimit dhe transportit ushtarak.
Sipas vlerësimeve paraprake nga terreni, operacionet “neutralizuan të paktën 700” luftëtarë të Huthive dhe shkatërruan objektiva ushtarake strategjike dhe me vlerë të lartë, si dhe 170 automjete dhe pajisje luftarake, tha zëdhënësi.
Ai tha se humbjet ndikuan drejtpërdrejt në aftësitë luftarake të grupit dhe kufizuan aftësinë e tij për të vazhduar sulmet ndaj civilëve në shtëpitë dhe fshatrat e tyre.
Huthit nuk kanë bërë menjëherë koment lidhur me pretendimet e ushtrisë së Jemenit.
Jemeni është përfshirë në konflikt që nga viti 2014, kur Huthit morën kontrollin e Sanas dhe disa provincave, duke nxitur një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në vitin 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të vendit. Një armëpushim i vitit 2022 u shemb në korrik të këtij viti, ndërsa që atëherë luftimet janë përshkallëzuar.





