Ushtria izraelite ka bërë të ditur se mëngjesin e sotëm ka kapur dy dronë në rajonin e Galilesë së Sipërme në pjesën veriore të vendit, transmeton Anadolu.
Ushtria izraelite tha se pas sirenave që u dëgjuan në zonën e Galilesë së Sipërme, dy mjete ajrore pa pilot të nisura drejt Izraelit u kapën nga forcat ajrore.
Sipas ushtrisë, sirenat e raketave u dëgjuan për shkak të shqetësimit për rënien e mbetjeve.
Sirenat janë dëgjuar edhe më parë në Galilenë e Sipërme dhe pranë Kiryat Shmona, afër kufirit të Izraelit me Libanin.
Ushtria njoftoi gjithashtu se forcat e saj ajrore kanë kapur dronë të shumtë të nisur drejt territorit izraelit, pas alarmeve të aktivizuara në zonat e Judesë dhe Detit të Vdekur të Bregut Perëndimor juglindor të pushtuar.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim e Iranit raportoi se dronët vetëvrasës të tipit Arash “goditën me sukses dhe shkatërruan plotësisht objektivat e caktuar thellë në Izrael”.
Në orët e para të së premtes, forcat izraelite sulmuan Iranin, duke goditur objekte bërthamore dhe raketore dhe duke vrarë të paktën 104 persona, përfshirë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë, si dhe duke plagosur gati 380 persona.
Irani u përgjigj me raketa balistike që shënjestruan disa zona në të gjithë Izraelin, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur mbi 90 të tjerë.