Ushtria izraelite vret një palestinez dhe plagos një tjetër në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite ka vrarë një palestinez dhe ka plagosur një tjetër gjatë bastisjeve në qytetin Jenin në veri të Bregut Perëndimor nën pushtim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria palestineze e Shëndetësisë thuhet se gjatë bastisjes së ushtarëve izraelitë në Jenin ka humbur jetën një i ri 17-vjeçar dhe se një tjetër i ri në moshën 18-vjeçare është plagosur rëndë.

Drejtori i spitalit “Ibni Sina” në qytetin Jenin, Jani Abu Jokha deklaroi se në spital kanë mbërritur 2 persona prej të cilëve njëri i plagosur rëndë në gjoks.

Ai tha se personi i plagosur rëndë në gjoks nuk ka mundur të shpëtojë pavarësisht ndërhyrjeve të kryera.

Televizioni zyrtar i Palestinës njoftoi se Amjad Walid al-Fayed (17) është vrarë nga ushtarët izraelitë në Jenin.

Televizioni në lajmin e tij të mëparshëm ka njoftuar se në zonën e bulevardit Haifa në Jenin ndodhën përleshje të armatosura me forcat izraelite.

Ndërkohë nga ushtria izraelite nuk është bërë ende ndonjë deklaratë lidhur me bastisjen e kryer në qytetin Jenin.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, ushtria izraelite që nga fillimi i vitit ka vrarë rreth 55 palestinezë në Bregun Perëndimor, Kudsin Lindor dhe Rripin e Gazës. /aa