Vazhdon në ditën e dytë Forumi i Prespës për Dialog

Në ditën e dytë me sesione të ndryshme vazhdon Forumi i Prespës për Dialog në qytetin e Strugës, raporton Anadolu.

Në sesionin e parë të ditës me titull “Paqja dhe Demokracia përballë Luftës dhe Autokracisë”, fjalime mbajtën Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, dhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, iu drejtua të pranishmëve me një video-mesazh.

Presidenti Pendarovski theksoi se lufta në Ukrainë e riktheu fokusin në gjeopolitikë.

“Nëse lufta në Ukrainë është me të vërtetë jonxitëse për të hyrë në mënyrën e të menduarit gjeopolitik, dhe me të vërtetë jonxitëse për të shikuar në rajon, për t’i kushtuar më shumë vëmendje procesit të zgjerimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, atëherë këtë e ndjek një pyetje shumë e natyrshme. Çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta në Ukrainë? A do t’i kthehemi punës si zakonisht, që do të thotë më pak vëmendje për rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi, jo në lidhje me procesin e zgjerimit”, tha Pendarovski.

“Ajo që na nevojitet është të shohim përparim sistematik dhe të pakthyeshëm. Ne kemi nevojë për një kornizë, me të paktën pesë komponentë, edhe atë ligjor, politik dhe ekonomik, plus sigurinë dhe inteligjencën në një shkallë më të vogël. Tre komponentët e parë i shërben më së miri BE-ja, dy të fundit sigurisht i takojnë aleancës së NATO-s”, shtoi ai më tej.

Presidenti Pendarovski foli edhe për mundësitë dhe sfidat që ofron inteligjenca artificiale dhe në këtë drejtim përshëndeti iniciativat e ndërmarra nga qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare për gjetjen e zgjidhjeve për shfrytëzimin e dobishëm të inteligjencës artificiale.

Stoltenberg, nga ana e tij, në video-mesazhin e dërguar në forum, u shpreh se ka qenë krenar në vitin 2020 kur Maqedonia e Veriut u bë partneri i 30-të i NATO-s, gjë që u bë e mundur vetëm falë Marrëveshjes së Prespës.

“Marrëveshja e Prespës bëri të mundur anëtarësimin në NATO. Ajo gjithashtu ka kontribuuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe një të ardhme më të ndritshme për Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut është një aleat i vlefshëm. Ajo kontribuon në misionin paqeruajtës në Kosovë, një rol që është jetik për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në një kohë me tensione të larta”, u shpreh Stoltenberg.

Ai tha se pushtimi brutal i Rusisë në Ukrainë, ka shkatërruar paqen në Evropë dhe ka ndryshuar rrënjësisht sigurinë e përbashkët.

Duke u ndalur në temën kryesore të forumit, vallë ky është një mision i mundshëm ose i pamundshëm, Stoltenberg tha se “Përgjigja është se, është më se e mundur. Në fakt po ndodh”.

“Duke ndjekur hapat e Maqedonisë së Veriut, Finlanda tani i është bashkuar Aleancës. Kjo është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj agresionit luftarak të Rusisë kundër fqinjit të tyre. Unë jam duke punuar shumë për të siguruar që pranimi i Suedisë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ukraina gjithashtu i përket familjes euro-atlantike. Të gjithë aleatët kanë rënë dakord që Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s dhe se vendimi do të jetë vetëm i Ukrainës dhe aleatëve. Rusia nuk ka të drejtën e vetos”, tha mes tjerash Stoltenberg.

– Millanoviq: “Është një proces i gjatë poshtërues”

Ndërkaq, Millanoviq, në fjalën e tij theksoi vendet e paabsorbuara të Ballkanit Perëndimor duhet të absorbohen brenda BE-së.

“Është një proces i gjatë poshtërues. Proces për të cilin askush nuk është i arsyeshëm, askush me qëllim të mirë mund të japë një shpjegim të zellshëm. Merrni për shembull Shqipërinë. Ata janë me NATO-n, atë mbrojtëse sublime, gjithëpërfshirëse dhe të lartë të paqes dhe demokracisë, për 14 vjet tani… Si ndodhi që ai vend dështoi kaq mjerisht dhe nuk arriti të përmbushte kriteret për një kohë kaq të gjatë. Apo ndoshta nuk është vendi, vetë Shqipëria që dështoi, por procesi jashtëzakonisht i vështirë dhe i paparashikueshëm që ne i kemi imponuar asaj”, tha Millanoviq.

Ai tha se para se të ligjërojmë për tjerët, të gjithë janë “erga omnes”, domethënë të gjithë, për të drejtat e njeriut, për vlerat, ne duhet të ndalemi për një moment dhe të reflektojmë duke menduar për veten.

– Begaj: Askush nuk mund ta vërë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

Begaj, nga ana e tij, tha se ky forum vjen në një kohë shumë delikate dhe të rëndësishme për rajonin, por edhe hapësirën euro-atlantike.

Forumi, theksoi ai, kujton Marrëveshjen historike të Prespës, se si liderët kurajozë e vizionarë mund dhe duhet të marrin përgjegjësi. “Ajo marrëveshje zgjeroi hapësirën euro-atlantike të sigurisë”, u shpreh Begaj.

Lidhur me temën e sesionit, Begaj potencoi se “Nisur nga eksperienca e Shqipërisë gjatë periudhës së komunizmit, vendi im për afro 50 vjet ishte në një lloj paqe por nuk ishte demokraci. Paqja është thuajse e garantuar kur vendet janë dhe kanë demokraci”.

Presidenti i Shqipërisë theksoi se pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, ka pasur një optimizëm të përgjithshëm se lufta nuk do të ishte një opsion dhe demokracia triumfonte në mbarë botë, por tri dekada më pas, janë bërë dëshmitarë të një agresioni brutal, të paprovokuar dhe pajustifikuar ushtarak nga një prej vendeve anëtare të KS-OKB-së ndaj një vendi tjetër sovran e anëtar i OKB-së.

Duke folur për efektet e agresionit, ai tha se “Janë të shumëfishta, që nga kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore e deri tek siguria ushqimore. Rritja e çmimit të energjisë, pasiguria e tregjeve globale, rritja e inflacionit po ndikojnë negativisht në vendet tona, si dhe kanë rritur ndjesinë e pasigurisë për të ardhmen. Një efekt të drejtpërdrejtë kjo luftë ka edhe për rajonin tonë, të Ballkanit Perëndimor, ku ende përpiqemi të ndërtojmë një rajon ku do të mbizotërojë fryma e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit”.

Duke folur edhe për dakordësinë e fundit të arritur në Ohër midis Kosovës dhe Serbisë, Begaj tha se ajo ishte një moment tjetër optimizmi por që shumë shpejt duket sikur po shndërrohet në një moment zhgënjimi.

“Partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po japin një kontribut të jashtëzakonshëm që palët të arrijnë një kompromis për normalizimin e marrëdhënieve e njohjen reciproke. Por askush nuk mund ta vërë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm”, theksoi Begaj, duke kërkuar nga liderët e Kosovës dhe Serbisë të marrin përgjegjësi historike sikur Maqedonia e Veriut dhe Greqisë për normalizimin e marrëdhënieve.

– Millatoviq: Marrëveshja e Prespës, aftësia e rajonit për t’i zgjidhur vetë çështjet

Millatoviq, nga ana e tij, tha se Ballkani Perëndimor demokratik dhe i begatë është i mundur vetëm në mënyrë të qëndrueshme, nëse rajoni bëhet plotësisht pjesë e BE-së.

“Aftësia e rajonit për t’i zgjidhur vetë çështjet. Mendoj se Marrëveshja e Prespës ishte shembull për këtë. Mendoj se në vitin 2018 pati një vendim të guximshëm nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia që mundësoi zgjidhjen e një problemi afatgjatë mes dy vendeve dhe vërtet tregoi aftësinë e vendeve të rajonit për t’i zgjidhur problemet vetë”, theksoi Millatoviq, gjë që sipas tij nuk erdhi si shpërblim për një përparim të mëtejshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut dhe pranimin e saj në BE.

Sipas tij, agresioni rus në territorin ukrainas është një thirrje zgjimi në Bruksel, në të cilin institucioni i BE-së filloi të vëzhgonte procesin e anëtarësimit në një mënyrë më politike dhe jo thjesht në një mënyrë teknike siç ishte rasti i viteve të fundit.

“Kjo është arsyeja pse Kosova mori liberalizimin e vizave. Bosnja mori statusin e vendit kandidat. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën negociatat. Kështu duhet të jetë tani e tutje. Përfundimi i suksesshëm i procesit në të cilin Ballkani Perëndimor do të bëhet plotësisht anëtar i BE-së nuk mund të përfundojë pa dy anë të procesit. Njëra është teknike dhe tjetra natyrisht politike”, u shpreh Millatoviq.

Ai shprehu shpresën se me ndryshimet e fundit në Mal të Zi në 2-3 vitet e fundit, vendi mund të bëhet histori suksesi e pranimit në BE, që mund të ndodhë, sipas tij, në vitin 2025-26.