Vdes Shimon Peres, krimineli i luftës i cili fitoi Çmimin Nobel

Ish lideri izraelit Shimon Peres, vdiq sot në moshën 93 vjecare.

Peres kishte pësuar një goditje në tru më 13 shtator, por gjendja e tij shëndetësore ishte dobësuar edhe më parë.

Por kush ishte Shimon Peres?

Emri i tij paraqet disbalancë mes imagjinatës dhe realitetit. Kjo pasi Perëndimi dëshironte ti besonte pallavrat e tij të paqes, teksa Shimon Peres po shkaktonte luftë mbas lufte në tokat Palestineze.

Peres u lind në Bjellorusinë e sotme në vitin 1923, dhe familja e tij u shpërngul në Palestinë në vitin 1930. Si i ri, Peres iu bashkua grupit “Haganah”, milici që ishte përgjegjëse për spastrimin etnik të fshatrave palestineze në vitet 1947-49, gjatë Nakbas.

Pavarësisht zhvendosjes së dhunshme të palestinezëve, gjë e cila është dokumentuar përmes të dhënave historike, Peres ka insistuar gjithmonë që forcat sioniste “nuk ndotën armët”, gjatë themelimit të shtetit të Izraelit. Në të vërtetë, ai madje deklaroi se para se Izraeli të ekzistonte, “nuk kishte asgjë këtu”.

Për shtatë dekada, Peres shërbeu si kryeministër (dy herë) dhe president, megjithëse ai nuk kishte fituar asnjëherë zgjedhjet kombëtare. Ai ishte anëtar i 12 kabineteve duke shërbyer si ministër i mbrojtjes, ministër i jashtëm dhe i financave.

Ai është i njohur në Perëndim për rolin e tij në negociatat e vitit 1993 në Oslo, negociata këto që ia dhanë çmimin “Nobel” të Paqes.

Në vijim është një përmbledhje e të dhënave se Peres ka shërbyer në favor të kolonializmit dhe aparteidit.

Armët nukleare

Midis viteve 1953 dhe 1965, Peres ka shërbyer fillimisht si drejtor i përgjithshëm i ministrisë së mbrojtjes të Izraelit dhe më pas si zëvendësministër i mbrojtjes. Për shkak të përgjegjësive të tij në atë kohë, Peres është  përshkruar si “arkitekt i programit bërthamor të armëve të Izraelit”, të cilat edhe këtë ditë, “mbeten jashtë shqyrtimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).”

Në vitin 1975, Peres u takua me ministrin e Mbrojtjes të Afrikës së Jugut, dhe “i ofroi për t’i shitur mbushje bërthamore regjimit të aparteidit”.

Targetimi i qytetarëve palestinezë

Peres kishte një rol kyç në regjimin ushtarak, i cili u ishte imponuar qytetarëve palestinez deri në vitin 1966. Ky autoritetet ushtarak kishte kryer vjedhje masive të tokave dhe zhvendosje të banorëve.

Si mjet për lejimin e një spastrimi të tillë ishte Neni 125 i cili urdhëroi që toka palestineze të shpallet zonë e mbyllur ushtarake. Pronarëve të saj u ishte mohuar qasja, e toka më pas do të konfiskohej si “e djerrë”. Peres vlerësoi nenin 125 si një mjet të “drejtpërdrejtë që të vazhdojë luftën për zgjidhjen e qështjes së emigracionin hebre.”

Një tjetër përgjegjësi e Peres në cilësinë e tij si drejtor i përgjithshëm i ministrisë së mbrojtjes është “Judaizimi” që do të thotë, ndjekja e politikave që synojnë reduktimin e parcelave të qytetarëve palestinezë në krahasim me parcelat hebraike.

Mbështetja e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor

Gjatë shërbimit të Peres ‘si ministër i mbrojtjes, nga viti 1974 deri 1977, qeveria e ish kryeministrit Rabi kishte krijuar një numër të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor, duke rrëmbyer tokat që ishin në pronësi private të palestinezëve.

Peres ka ndërhyrë për të minuar çdo lloj masash, sado modeste, në sanksionimin e kolonive ilegale – gjithmonë, në emër të mbrojtjes së “negociatave për paqe”.

Masakra Qana

Si kryeministër në vitin 1996, Peres urdhëroi dhe mbikëqyri “Operacionin e dënimit”, kur forcat e armatosura izraelite vranë 154 civilë në Liban dhe plagosën 351 të tjerë.

Sipas faqes zyrtare të Forcave Ajrore Izraelite (në hebraisht), operacioni kishte përfshirë “bombardimet masive të fshatrave shiite në jug të Libanit, me qëllim që të shkaktojnë  fluks të civilëve në veri, drejt Bejrutit, duke aplikuar presion ndaj Sirisë dhe Libanit për të frenuar Hezbollahun”.

Incidenti më famëkeq i fushatës ushtarake ishte masakra Qana, kur Izraeli kishte bombarduar një kompleks të Kombeve të Bashkuara ku u vranë 106 civilë të strehuar. Një raport i OKB-së deklaroi se pavarësisht mohimeve izraelite, ishte “e pamundur” se bombardimi “ishte rezultat i gabimeve teknike apo proceduriale.”

Më vonë, ushtarët izraelit thanë për një televizion izraelit se ata nuk ndjenin asnjë keqardhje gjatë masakrës, dhe se të vdekurit ishin “vetëm një bandë e arabëve”.

Sa për Peres, ndërgjegjja e tij ishte e “pastër”: “Çdo gjë është bërë në bazë të logjikës së qartë dhe në mënyrë të përgjegjshme”, tha ai. “Unë jam në paqe.”

Gaza – mbrojtja e bllokadës dhe brutalitetit

Peres u paraqit në mediat ndërkombëtare si një nga ambasadorët më të rëndësishëm global të Izraelit, edhe pse qeverisja e tij imponoi një bllokadë shkatërruese dhe tri ofensiva të mëdha në Gaza. Pavarësisht zemërimit global ndaj politikave të tilla, Peres ka mbështetur vazhdimisht dënimet kolektive dhe brutalitetin ushtarak.

Në janar të vitit 2009, pavarësisht thirrjeve nga organizatat izraelite për të drejtat e njeriut që ‘Operacioni Cast Lead” të ndalet, Peres kërkoi “solidaritet kombëtar dhe mbështetje për operacionin”. Sipas Peres, qëllimi i sulmit “ishte që të sigurojë një goditje të fortë për popullin e Gazës në mënyrë që ata të humbasin “oreksin e tyre për të hedhur raketa në Izrael”.

Disa vjet më parë, Peres i përshkroi palestinezët si të “vetë-viktimizuar.”

“Ata përndjekin veten. Ata janë viktimë e gabimeve të tyre të panevojshme”.

Kjo është padyshim një pikëpamje mizore për një njeri  që merr cmim për “paqe”. /Mesazhi/