“Vetëm Zoti mund t’i ndihmojë”: Qindra të vdekur nga uria në Somali

Asnjë nënë nuk duhet ta humbasë fëmijën e saj. Owliyo Hassan Salaad ka parë t’i vdisnin katër këtë vit. Një thatësirë në Bririn e Afrikës i ka marrë ata, një nga një.

Tani ajo ka në djep 3-vjeçarin e saj të dobët dhe të lodhur, Ali Osmanin, të cilin e bartë 90 kilometra duke ecur nga fshati i saj në kryeqytetin e Somalisë, e dëshpëruar për të mos e humbur edhe atë. Ulur në dyshemenë e një qendre trajtimi të mbushur me nëna në ankth, ajo mezi flet për trupat e vegjël të varrosur në shtëpi, shkroi AP-ja të mërkurën.

Vdekjet filluan në thatësirën më të rëndë në katër dekada në atë rajon. Të dhënat e paraportuara më parë tregojnë të paktën 448 vdekje këtë vit nga kequshqyerja vetëm në Somali.

Shumë më tepër njerëz po vdesin, e për të cilët autoritetet nuk njoftohen, si katër fëmijët e Salaadit, të gjithë më të vegjël se 10 vjeç.

“Definitivisht mijëra” kanë vdekur, ka thënë koordinatori humanitar i Kombeve të Bashkuara në Somali Adam Abdelmoula.

Thatësira vjen e shkon në Bririn e Afrikës, por asnjë nuk ka qenë si kjo. Ndihmat humanitare janë pakësuar për shkak të krizave globale, si pandemia COVID-19 dhe tani lufta e Rusisë në Ukrainë. Çmimet për lëndët e para si gruri apo vaji për ushqim po rriten shpejt, në disa vende për më shumë se 100%. Miliona bagëti që u kanë ofruar familjeve qumësht e mish, kanë ngordhur.

Një “shpërthim i vdekjeve të fëmijëve” po vjen në Bririn e Afrikës nëse bota fokusohet vetëm në luftën në Ukrainë dhe nuk vepron tani, ka thënë të martën UNICEF-i.

Më shumë se 200,000 njerëz në Somali përballen me “uri katastrofike dhe vdekje, një rritje drastike nga 81,000 në prill”, thuhet në një deklaratë të OKB-së.

Në qytetin Mogadishu, në një nga kampet e tejmbushura, të ardhurit e rinj përshkruanin tmerrin kur panë familjarë të vdisnin.

Shumë njerëz shkojnë përditë në kamp, duke shpenzuar energjinë e fundit për të ngritur streha. Disa kanë ecur deri në 19 ditë për të arritur në kryeqytet, sipas Këshillit norvegjez për Refugjatë.

“Vetëm mbrëmë 120 familje erdhën”, ka thënë menaxherja e kampit, Nadifa Hussein. “Po u japim atyre ato pak gjëra që kemi, si bukë. Numri i njerëzve është aq i madh sa për t’u ndihmuar është jashtë kapacitetit tonë”.

“Vetëm Zoti mund t’i ndihmojë ata”, tha ajo. /koha