Viti 2018 më vdekjeprurësi për fëmijët në Siri

Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore, ka deklaruar se si pasojë e luftës qytetare në Siri vitin e kaluar kanë humbur jetën 1.106 fëmijë dhe ka bërë thirrje për të mbrojtur fëmijët në konfliktin në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Lufta në Siri ka hyrë në vitin e saj të 9-të, ndërsa viti 2018 ishte më vdekjeprurësi për fëmijët’, thuhet në deklaratën e drejtoreshes ekzekutive Fore, ku shtohet se konflikti në Siri ka ndikim tek fëmijët dhe se fëmijët duhet të jenë të mbrojtur gjatë luftës.

“Vetëm në vitin 2018 për shkak të përleshjeve kanë humbur jetën 1.106 fëmijë. Ky është numri më i lartë i evidentuar në një vit që nga fillimi i luftës. Ky është numri zyrtar i vërtetuar nga Kombet e Bashkuara, numri real me siguri është më i lartë”, thotë Fore, duke shtuar se në vitin e kaluar, armët e pashpërthyera kanë shkaktuar vdekjen e 434 fëmijëve.

262 sulme ndaj institucioneve arsimore dhe shëndetësore

Fore ka theksuar se vitin e kaluar janë realizuar 262 sulme ndaj institucioneve arsimore dhe shëndetësore.

“Mua posaçërisht më brengos gjendja në Idlib, në pjesën veriperëndimore të Sirisë. Kemi informata se si rezultat i përshkallëzimit të dhunës në javët e fundit, kanë humbur jetën 59 fëmijë”, theksoi Fore.

Paralajmërim për kampin “Rukban”

Fore po ashtu foli për kampin “Rukban”, që gjendet në kufirin me Jordaninë dhe që mbahet nën rrethim nga regjimi i Asadit dhe përkrahësve të tij.

“Familjet dhe fëmijët në këto zona të cilat nuk kontrollohen nga asnjë palë, jetojnë në kushte të mjerueshme. Jeta e familjeve në Rukban, si rezultat i mungesës së ushqimit, ujit, strehimit dhe qasjes tek shërbimet shëndetësore dhe arsimore, po vazhdon në kushte jashtëzakonisht të vështira”, u shpreh Fore.

Situata në kampin “Al-Holl” është brengosëse

Duke folur për situatën humanitare në kampin “Al-Holl” që gjendet në krahinën Haseke në kufi me Irakun, e që është nën rrethim nga organizata terroriste YPG/PKK, Fore theksoi se “është brengosëse që kushtet e jetesës në kampin ‘Al-Holl’ në pjesën verilindore të Sirisë po përkeqësohen. Në kamp jetojnë 65 mijë persona, në mesin e të cilëve ka rreth 240 fëmijë të ndarë nga familjet e tyre”.

Fore sqaroi se që nga fillimi i këtij viti, 60 fëmijë e kanë humbur jetën duke udhëtuar në rrugën 300 kilometra të gjatë nga Bozgani për të arritur në këtë kamp.

Akoma është i panjohur fati i fëmijëve të luftëtarëve të huaj.

UNICEF u bën thirrje vendeve anëtare që të marrin përgjegjësinë për fëmijët e tyre dhe të mos lejojnë që fëmijët e tyre të vijnë në një pozitë që të mbesin pa shtetësi.

Duhet t’i jepet prioritet mbrojtjes së fëmijëve

Fore ka theksuar se mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë primare.

“UNICEF vazhdon me përpjekjet e saja për të siguruar kujdesin bazik shëndetësor, arsimin dhe ushqimin për fëmijët e Sirisë dhe mbështetjen për familjet e tyre, por kjo nuk është e mjaftueshme”, deklaroi ajo.

Fore ka ripërsëritur thirrjen për të gjitha palët në konflikt që pavarësisht se kush dhe në cilën zonë ka kontrollin, mbrojtjes së fëmijëve duhet dhënë prioritet. Ajo gjithashtu ka thënë se duhet mundësuar qasje të sigurt dhe të pakushtëzuar deri tek të gjitha familjet që kanë nevojë. Fore gjithashtu ka apeluar që të gjendet zgjidhje afatgjate për ato familje që me vetdëshirë nuk dëshirojnë të kthehen në Siri.

Në prag të konferencës për përkushtim ndaj Sirisë që do të mbahet në Bruksel, Fore ka kërkuar nga donatorët që të vazhdojnë me ndihmën për Sirinë dhe për vendet fqinje.