Vjena “mbyllet” deri më 11 prill, maskat të detyrueshme edhe në ajër të hapur

Nga sot (1 prill) deri më 11 prill do të bëhet e detyrueshme edhe bartja e maskës FFP2 në ajër të hapur, në vendet dhe sheshet më të frekuentuara të kryeqytetit austriak.

 

Për shkak të situatës alarmante të pandemisë, Vjena, Austria e Ulët dhe Burgenland që nga sot (1 prill) do të “mbyllen” deri më 11 prill. Kështu ka deklaruar edhe ministri i Shëndetësisë, Rudolf Anschober.

Përveç dyqaneve ushqimore, higjienikë dhe gjërave të tjera të nevojshme për jetën e përditshme, të gjitha dyqanet e tjera do të mbyllen.

Ndërkohë, për herë të parë në Vjenë, nga e enjtja deri më 11 prill do të bëhet e detyrueshme edhe bartja e maskës FFP2 në ajër të hapur, në vendet dhe sheshet më të frekuentuara të kryeqytetit austriak.

Këtë vendim e ka marrë kryebashkiaku i Vjenës, Michael Ludwig, i cili tha se maska ​​FFP2, si dhe brenda, do të përdoret edhe jashtë në disa zona ku ka një përqendrim më të lartë të njerëzve. ”Ditëve të fundit janë parë grumbull i madh të personave duke qëndruar afër njëri-tjetrit. Prandaj, duhet të marrim masa për të ruajtur shëndetin e tyre dhe të tjerëve”, ka thënë Ludwig.

Vendet ku do të jetë e obligueshme bartja e maskave edhe në hapsira, në Vjenë, janë: Donaukanal, Stephansplatz Karlsplatz, Schwedenplatz, Maria  – Theresien Platz Karlsplatz, shkruan derstandard.at, përcjell albinfo.at.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 3.687 raste të reja të infeksionit në Austri dhe 31 persona të vdekur, duke e dërguar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 9.339 persona.