Vjenë – Delegacioni iranian nis bisedimet mbi marrëveshjen bërthamore

Një delegacion iranian pritet të niset për në Vjenë për të vazhduar negociatat bërthamore, duke ushqyer shpresat për rinisjen e një marrëveshjeje kyçe bërthamore.

Kryenegociatori iranian Ali Bagheri dhe ekipi i tij planifikojnë të largohen në orët e ardhshme, tha qeveria.

Kryenegociatori i BE-së, Enrique Mora, shkroi në Twitter se ishte në rrugën e tij për në Vjenë për të diskutuar një rikthim të plotë në marrëveshjen bërthamore, të quajtur zyrtarisht Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen e 2015 synojnë të frenojnë programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, por bisedimet midis Iranit dhe gjashtë palëve të tjera në marrëveshje – Kinës, Gjermanisë, Francës, Britanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara – janë bllokuar prej muajsh. .

Pikat kryesore të konfliktit përfshijnë heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA dhe statusin e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC), e cila është e listuar nga SHBA si një organizatë terroriste.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka bërë thirrje për heqjen e të gjitha sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara pas tërheqjes së njëanshme nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018 gjatë presidencës së Donald Trump.

Teherani ka këmbëngulur vazhdimisht se marrëveshja bërthamore nuk ka asnjë vlerë për vendin pa heqjen e sanksioneve.

Bisedimet e reja vijnë menjëherë pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) paralajmëroi se Irani është brenda disa javësh nga prodhimi i materialeve të nevojshme për të ndërtuar një bombë bërthamore. /atsh